Vendosni fjalën kyçe....

Numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza arrin rreth 1800


Numri i palestinezëve të vrarë nga një fushatë masive ajrore izraelite kundër Rripit të Gazës është rritur në 1799, tha të premten Ministria e Shëndetësisë.

Të paktën 6,612 njerëz u plagosën në bombardimet që nga e shtuna, duke përfshirë 1,644 fëmijë dhe 1,005 gra, tha ministria në një deklaratë.

Në një përshkallëzim dramatik të tensioneve në Lindjen e Mesme, forcat izraelite nisën një fushatë të qëndrueshme dhe të fuqishme ushtarake kundër Rripit të Gazës, një përgjigje ndaj një ofensive ushtarake të grupit palestinez Hamas në territoret izraelite.

Konflikti filloi të shtunën e kaluar kur Hamasi nisi Operacionin Al-Aksa Flood kundër Izraelit, një sulm i papritur i shumëfishtë duke përfshirë një breshëri lëshimesh raketash dhe infiltrimesh në Izrael nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit, sipas AA.

Hamasi tha se operacioni ishte në hakmarrje për sulmin ndaj xhamisë Al-Aksa në Jerusalemin Lindor të pushtuar dhe dhunës në rritje të kolonëve izraelitë kundër palestinezëve.

Ushtria izraelite më pas nisi operacionin Shpatat e Hekurt kundër objektivave të Hamasit brenda Rripit të Gazës.

Përgjigja e Izraelit është shtrirë në ndërprerjen e furnizimit me ujë dhe energji elektrike në Gaza, duke përkeqësuar më tej kushtet e jetesës në një zonë që është përfshirë nga një rrethim gjymtues që nga viti 2007.