Vendosni fjalën kyçe....

Prisnin dru në parqet “Shebenic” dhe “Gavadec” në Librazhd, vihen nën hetim 2 persona dhe në kërkim 4 të tjerë


Si rezultat i kontrolleve në terren dhe bashkëpunimit me inspektorët për mbrojtjen e pyjeve, goditet prerja e paligjshme e pyjeve në parqet kombëtare “Shebenic” dhe “Gavadec”.

Identifikohen 6 shtetas që ushtronin në bashkëpunim me njëri-tjetrin, këtë veprimtari kundër mjedisit, në mënyrë të vazhdueshme.

Procedohen në gjendje të lirë 2 nga këta shtetas, shpallen në kërkim 4 të tjerët.

Sekuestrohen 2 automjete që përdoreshin për transportimin e lëndës drusore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd, në vijim të punës me fokus krimet kundër mjedisit, në bashkëpunim me inspektorët për mbrojtjen e pyjeve, kanë evidentuar dhe goditur veprimtarinë e prerjes së paligjshmë të pyjeve në parqet kombëtare “Shebenic” dhe “Gavadec”.

Në vijim të veprimeve procedurale për këto raste, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. H., 45 vjeç dhe N. B., 65 vjeç, të dy banues në Prrenjas, si dhe u shpallën në kërkim shtetasit A. B., 30 vjeç, Sh. V., 57 vjeç, E. V. 27 vjeç dhe A. V., 28 vjeç, të katërt banues në Prrenjas.

Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, gjatë një muaji, kanë prerë vazhdimisht dru për zjarr, në zonat e mbrojtura të parqeve “Shebenic” dhe “Gavadec”.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit N. B. dhe në banesën e shtetasit F. H., janë gjetur 2 automjete që janë përdorur për të transportuar lëndën drusore, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, kryer në bashkëpunim.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë qytetarët që të mos implikohen në veprimtari të kundërligjshme në dëm të mjedisit: si prerje të paligjshme të drurëve, ndërtime pa leje, marrje të kundërligjshme të inerteve, shpërdorim të tokës, ndotje të saj, të ujërave apo të ajrit, pasi kontrollet vijojnë pandërprerë edhe gjatë natës, dhe çdo tentativë do të konstatohet dhe do të goditet me forcën e ligjit, njofton policia.