Vendosni fjalën kyçe....

SHBA: Irani nuk mund t’i tërheqë tani për tani 6 miliardë dollarët e depozituar në Katar


Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se Irani nuk do të ketë qasje së shpejti tek 6 miliardë dollarë në fonde iraniane, të depozituara në një bankë të Katarit muajin e kaluar, si pjesë e një marrëveshje për shkëmbim të burgosurish dhe se Uashingtoni vazhdon të ruajë të drejtën për ta ngrirë plotësisht llogarinë.

Çështja e mundësisë që gëzon Irani për t’i tërhequr fondet, ka qenë në qendër të vëmendjes, që kur militantët palestinezë të Hamasit të mbështetur nga Irani sulmuan Izraelin të shtunën, duke vrarë më shumë se 1,300 persona dhe duke marrë rreth 150 persona peng në Rripin e Gazës.

“Irani nuk do të jetë në gjendje të sigurojë qasje tek fondet për një të ardhme të pacaktuar”, i tha agjencisë ‘Reuters’ një zyrtar i lartë amerikan, duke folur në kushte anonimiteti.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke folur në një konferencë shtypi në Tel Aviv, tha se Irani as nuk kishte qasje dhe as nuk kishte shpenzuar asgjë nga 6 miliardë dollarët, duke shtuar: “Ne po i mbikëqyrim rreptësisht fondet dhe ruajmë të drejtën për t’i ngrirë ato”.

Zoti Blinken tha se Departamenti amerikan i Thesari mbikëqyr çdo disbursim për t’u siguruar që ai të përdoret vetëm për qëllime humanitare.

Disa media amerikane raportuan të enjten se Shtetet e Bashkuara dhe Katari kishin rënë dakord që të mos lejonin Iranin që t’i tërhiqte paratë.

Irani nuk e ka fshehur mbështetjen e tij për Hamasin, financimin dhe armatosjen e grupit, por udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei tha të martën se Teherani nuk ishte i përfshirë në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit.

Misioni i Iranit në OKB tha se qeveria amerikane ishte “shumë e vetëdijshme se nuk mund të refuzote” marrëveshjen e arritur mbi paratë, të cilat u transferuan në Katar nga një llogari në Korenë e Jugut, duke mundësuar që ato të përdoreshin për nevojat humanitare të Iranit.

Por zyrtarët e këtij misioni nuk iu përgjigjën kërkesës për koment, nëse Irani ishte përpjekur që t’i merr paratë.

Zyra Ndërkombëtare e Medias e Katarit nuk iu përgjigj një kërkese për koment dhe po kështu as Departamenti Amerikan i Thesarit nuk pranoi të komentojë.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë John Kirby, nuk pranoi të komentonte rreth bisedave diplomatike apo “të spekulonte” sikurse tha, për “transaksione në të ardhmen”.

Ai tha se paratë do të përdoreshin për të blerë ushqime, ilaçe, pajisje mjekësore e produkte bujqësore, në dobi të popullit iranian./ VOA