Vendosni fjalën kyçe....

Steve Scalise heq dorë nga gara për kreun e Dhomës se Përfaqësuesve


Republikani Steve Scalise i dha fund përpjekjes së tij për t’u bërë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, pasi nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme brenda republikanëve për të fituar postin.

Zoti Scalise ua njoftoi vendimin kolegëve të tij republikanë në një takim me dyer të mbyllura të enjten vonë në mbrëmje.

Hapat e ardhshëm mbeten të pasigurt, pasi Dhoma e Përfaqësuesve aktualisht nuk po funksionon, ndërkohë që shumica republikane përpiqet të zgjedhë një kryetar pas shkarkimit nga kjo detyrë e Kevin McCarthy-in, falë një iniciative të nxitur nga disa ligjvënës republikanë të vijës së ashpër.

I emëruar nga republikanët për të kandiduar si kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve, vetëm një ditë më parë, ligjvënësi Steve Scalise hasi në një problem të njohur; kolegët skeptikë republikanë konservatorë, që refuzuan t’i japin atij mbështetje. Pa votat e tyre zoti Scalise nuk do të siguronte dot shumicën për të fituar këtë post.

Shumë ligjvënës të vijës së ashpër, duke marrë sinjalet e tyre nga Donald Trump-i, janë futur në një luftë të zgjatur për të zëvendësuar Kevin McCarthy-n pas largimit të tij nga detyra, gjë që shënoi histori. Ata kanë thënë se edhe udhëheqësi i shumicës zoti Scalise, nuk ishte një zgjedhje më e mirë dhe se ai duhet të përqendrohet tek problemet e tij me shëndetin ndërsa lufton me kancerin. Deri tani nuk është përcaktuar ndonjë datë për votim për postin e kreut të Dhomës.

Dhoma e Përfaqësuesve po hyn në javën e dytë pa një kryetar dhe në thelb nuk është në gjendje të funksionojë. Ndërkaq po rritet trysnia politike mbi republikanët për të ndryshuar kurs dhe për të rivendosur kontrollin e shumicës e për të siguruan funksionimin normal të Dhomës.

Një nga arsyet lidhet me buxhetin për të financuar qeverinë, gjë që nëse nuk ndodh, rrezikon mbylljen e saj brenda një muaji. Ligjvënësit gjithashtu duan që Kongresi të bëjë një deklaratë të fortë mbështetjeje për Izraelin në luftën kundër Hamasit, por një rezolutë dypartiake është anashkaluar për shkak të ngërçit në Dhomën e Përfaqësuesve. Po kështu Shtëpia e Bardhë pritet të kërkojë së shpejti para për Izraelin, Ukrainën dhe mbushjen e rezervave amerikane me armë.

Demokratët kanë mbështetur udhëheqësin e tyre, Hakeem Jeffries, gjatë votimeve tjera për kryetar të Dhomës dhe pritet të veprojnë njësoj edhe kësaj radhe. Një këshilltar i udhëheqësve demokratë, që foli me kusht që të mos i bëhej emri publik, tha se demokratët janë të gatshëm të mbështesin një kandidat kompromisi mes dy partive, por sipas tyre, republikanët nuk i kanë kontaktuar mbi këtë çështje.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e VOA