Vendosni fjalën kyçe....

‘U premtua ujë 24 orë’, PL: Veliaj ngriti çmimin me 40%, por disa zona vuajnë nga mungesa e ujit


Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari, foli sot për rritjen e çmimit të ujit.

Në një deklaratë për mediat, Braimllari shprehet se në vitin 2017 kryebashkiaku i Tiranës premtoi ujë 24 orë me cilësi Korçe dhe çmim Bathoreje, por kryeqyteti vijon të përballet përditë në zona të ndryshme me mungesën e ujit të pijshëm.

Më tej ai tha se UKT bën tendera 10 milionë euro për kamera, shton numrin e punonjësve për efekt elektoral midis tyre dhe punësimet fiktive

“Erion Veliaj rriti me 40 % çmimin e ujit në vitin 2017 por Tirana vijon të përballet përditë në zona të ndryshme me mungesën e ujit të pijshëm.

Megjithë propagandën e Erion Veliajt, për rritjen e orëve të furnizimit me ujë, ajo që hasin përditë qytetarët është mungesa e furnizimit.

Tirana nga 12 orë ujë që furnizohej në 2017, aktualisht në disa zona furnizohet vetëm me 6 orë ujë në ditë.

Para 6 vitesh, teksa rriti çmimin e ujit të pijshëm me 40%, Erion Veliaj premtonte ujë 24 orë me cilësi Korçe dhe çmim Bathore. Sot që flasim jo vetëm që uji nuk është i pijshëm por nuk ka furnizimin me ujë.

Premtoi, heqjen e depozitave mbi pallate dhe këtë e bëri me një propagandë shumë të madhe ndërkohë jo vetëm që depozitat nuk janë hequr por qartazi janë shtuar.

Pas 6 vitesh, të rritjes së çmimit të ujit kur qytetarët prisnin përmirësim të kushteve të furnizimit, Erion Veliaj ka menduar vetëm për tendera korruptivë të Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizime.

UKT bën tendera 10 milionë euro për kamera, shton numrin e punonjësve për efekt elektoral midis tyre dhe punësimet fiktive. Punonjës që marrin rrogën në UKT dhe jetojnë jashtë vendit.

Partia e Lirisë i ka kërkuar Erion Velisë dhe UKT-së transparencë se ku shkojnë paratë e rritjes çmimit të ujit, duke qenë se përmirësim në shërbim nuk ka

Partia e Lirisë ka kërkuar nëse këto të ardhura janë investuar në përmirësimin e rrjetit, të rritjes së kapacitetit prodhues të Bovillës, të rritjes së kapacitetit të furnizimit me ujë apo për procedura tenderimi dhe punësime fiktive.

Erion Veliaj duhet të dalë të japë llogari përpara qytetarëve pse nuk ka realizuar premtimin për furnizimin me 24 orë ujë në Tiranë.

Partia e Lirisë do të kërkojë transparencë dhe llogari për gropën e thellë të korrupsionit në UKT sepse janë qytetarët e Tiranës që paguajnë çdo ditë rritjen e çmendur të ujit të pijshëm.” tha Braimllari.