Një 53-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës, pasi ishte në kërkim si pjesë e një grupi kriminal droge në Itali.
Burime zyrtare nga policia bënë me dije se Lorenc Kapllani alias Lorenc Sadikaj, banues në Vlorë, ishte dënuar nga autoritetet italiane me mbi 19 vite burg.
Vlorë/Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i kërkuar ndërkombëtarisht, pjesëtar i një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, i dënuar nga autoritetet gjyqësore italiane, me mbi 19 vjet burgim.
Finalizohet nga DVP Vlorë, në bashkëpunim me FAST Albania, operacioni policor i koduar “Midday”.
Operacioni, rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore dhe i shkëmbimit në kohë reale të këtij informacioni.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me FAST Albania, si rezultat i inteligjencës policore dhe shkëmbimit në kohë reale të informacionit me Interpol Tiranën dhe Zyrën e Interforcës Italiane në Shqipëri, zhvilluan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Midday”, në kuadër të të cilit u bë i mundur lokalizimi në lagjen “10 Korriku”, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit:
Lorenc Kapllani alias Lorenc Sadikaj, 53 vjeç, banues në Vlorë. 53-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit të Catanias, Itali, e ka dënuar me 19 vjet e 6 muaj burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të kryer 16 vjet, 6 muaj e 24 ditë, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Organizata kriminale”, të parashikuara nga Kodi Penal i Italisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e 53-vjeçarit drejt Italisë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, njofton policia.