Vendosni fjalën kyçe....

Konfiskohen sërish armë dhe pajisje ushtarake, Sveçla: Vijojmë punën deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Kosovës


Pas operacionit të sotëm të kontrollit në veri të Kosovës, ku autoritetet kanë konfiskuar sërish armë dhe pajisje ushtarake, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se arsenali i gjetur deri tani zbulon planin e Serbisë për aneksimin e veriut.

Sveçla, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “po vijon zbardhja e planit të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut të vendit tonë”.

Më tej ai shkroi se “granatahedhës, eksplozivë, mina kundër këmbësorisë, mina me sahat, detonatorë e çanta me pajisje të ndryshme, prodhime të njëjta me ato që u sekuestruan në Banjskë dhe më herët në Zveçan, po qartësojnë gjerësinë e planit të Serbisë për aneksimin e veriut përmes agresionit terrorist”.

Ne do të vazhdojmë punën deri në çrrënjosjen e terrorizmit kundër Kosovës”, theksoi Sveçla.

Policia e Kosovës ka kryer të shtunën kontrolle në shtatë zona në pjesën veriore, në kuadër të hetimeve lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit.