Zëdhënësja e PD-së Mirela Karabina dhe inxhinieri Azmer Duleviç, kanë dalë paraditen e kësaj të shtune në një deklaratë për media, ku kanë hedhur akuza dhe denoncime ndaj qeverisë Rama.
Karabina u shpreh se, Shqipëria sot renditet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe fuqinë blerëse sepse vjedhja dhe korrupsioni është në nivelet më të larta.
“Vjedhja dhe korrupsioni i qeverisjes së Edi Ramës çdo ditë po varfëron dhe vështirëson jetën e qytetarëve. Paratë e tenderave dhe koncensioneve korruptive përfundojnë në xhepat e matrapazëve të korrupsionit. Afera e inceneratorëve iu kushton shqiptarëve 430 milionë euro, sterilizimi i instrumenteve kirurgjikale 17 milionë euro, shërbimi i kontrollit shëndetësor “Check up” 120 milionë euro dhe shumë afera të tjera miliona e miliona euro, për zbardhjen e të cilave Partia Demokratike ka bërë një betejë publike, tashmë të faktuara si të drejta nga arrestimet dhe sekuestrimet e SPAK.
Pra, para ka por ato vidhen! Ndërkohë që Shqipëria sot renditet e fundit në Europë për të ardhurat për frymë dhe fuqinë blerëse sepse vjedhja dhe korrupsioni është në nivelet më të larta. Varfëria mbetet një realitet i dhimbshëm ku shumica e vendeve të punës ofrojnë paga të ulëta që nuk përballojnë as minimumin jetik të nevojave për një familje. Pothuajse 1/3 e shqiptarëve jetojnë me rreth 5 dollarë në ditë, këto familje nuk sigurojnë as ushqimin bazë për mbijetesë.
Studentët dhe të rinjtë braktisin vendin pasi jo vetëm nuk investohet për to, për arsimim cilësor të tyre, por nuk u sigurohet as punë e as pagë dinjitoze për të ndërtuar një jetë të mirë. Shqipëria bëhet një vend i mirë pasi ka potencial të jashtëzakonshëm, të cilat një qeveri e përgjegjshme i shndërron në mirëqenie për qytetarët. Ndaj, lufta kundër vjedhjes dhe korrupsionit, si një nga shkaktarët kryesorë të situatës së rëndë ekonomike në të cilën ndodhet vendi, është prioritet kryesor i Partisë Demokratike. Partia Demokratike për qytetarë dhe në krah të tyre do të denoncojë çdo veprim që cënon interesin qytetar dhe pengon zhvillimin e vendit. Ajo i kërkon institucioneve përkatëse të reagojnë dhe të marrin masa dhe t’i shkojnë deri në fund ndëshkimit të zyrtarëve apo politikanëve të korruptuar që po varfërojnë Shqipërinë.
Inxhinieri Duleviç sot do të bëjë një tjetër denoncim të një tjetër afere korruptive, pasojat e të cilit vështirësojnë mbi jetën e qytetarëve”, tha Karabina. Nga ana tjetër inxhinieri Duleviç denoncoi OSSH e Elbasani për abuzim me taksat e qytetarëve, duke thënë se ka “lidhur kontratë për Shërbim sigurie i ruajtjes fizike të ndërtesave, aseteve dhe njerëzve të Drejtorisë Rajonale të OSSH dhe FSHU Elbasan për roje dhe sisteme sigurie alarmi! Vlera totale përfundimtare e kontratës me gjithë TVSH është 177.561.198,52 Lekë për 3 vite”.
Ai gjithashtu u shpreh se në Elbasan ka mungesë të thelluar investimesh në sistemin e shpërndarjes dhe se ka zona kryesisht rurale që nuk janë ndërruar përcjellësit, ose telat elektrik.
“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe OSSH-SHA/ Drejtoria Rajonale Elbasan vazhdon me abuzimet me taksat e qytetarëve shqiptar dhe kryesisht qytetarëve të Elbasanit.
Në datën 29.09.2023 ka lidhur kontratën për Shërbim sigurie i ruajtjes fizike të ndërtesave, aseteve dhe njerëzve të Drejtorisë Rajonale të OSSH dhe FSHU Elbasan për roje dhe sisteme sigurie alarmi!
Vlera totale përfundimtare e kontratës me gjithë TVSH është 177.561.198,52 Lekë për 3 vite. Thënë më thjeshtë për qytetarët, për roje Drejtoria e OSSH Elbasan do të paguajë 1 miliardë e 775.6 milionë lekë, u shpreh Karabina.