Zyrtarët amerikanë e kanë akuzuar Korenë e Veriut se po e furnizon me sasi të mëdha armësh Rusinë, që ajo më pas t’i përdorë në Ukrainë.
Pheniani e ka furnizuar Rusinë me 1.000 kontejnerë me “pajisje dhe municione” në “javët e fundit”, ka thënë zëdhënësi i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby.
Zyrtarët kanë publikuar edhe fotografi, që sipas tyre, shpërfaqin kontejnerët e përgatitur për transport në Najin të Koresë së Veriut.
Muajin e kaluar, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un e ka vizituar Rusinë për ta diskutuar bashkëpunimin potencial ushtarak.
Ushtria e Moskës besohet se ka nevojë për t’u furnizuar me armë, pas përdorimit të një sasie të madhe në luftën që e ka nisur kundër Ukrainës, në shkurt të vitit të kaluar.
Disa analistë besojnë se regjimi i Kimit mund të ketë rezerva të mëdha armësh, mirëpo mund të hezitojë në dorëzim të një sasie të madhe, për shkak të mungesës së burimeve të mjaftueshme.
Agjencitë amerikane të inteligjencës besojnë se armët janë dorëzuar mes 7 shtatorit dhe 1 tetorit.
Prej kur Rusia e ka nisur luftën në Ukrainë, zyrtarët amerikanë kanë shprehur vazhdimisht shqetësim se Koreja e Veriut është duke e furnizuar Rusinë me municione.
“Ne e dënojnë Korenë e Veriut për dhënie të këtyre pajisjeve ushtarake për Rusinë, të cilat do të përdoren për t’i sulmuar qytetet ukrainase, për t’i vrarë civilët ukrainas dhe për ta vazhduar luftën jolegjitime të Rusisë”, ka thënë Kirby para gazetarëve.
Ai ka thënë se një hap i tillë i verikorënave është në kundërshtim me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara “prandaj ne do të vazhdojmë të raportojmë në OKB për këto dërgesa”.
Vëzhguesit besojnë se armët verikoreane mund ta forcojnë për kohë të shkurtër ushtrinë ruse por dyshojnë nëse këto armë do të luajnë rol vendimtar në konflikt.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e REL.