Vendosni fjalën kyçe....

Shqiptaro-izraelitja Felicita Jakoel përshkruan jetën në Izrael pas sulmit të Hamasit


Sulmi i pashembullt i Hamasit, më i rëndi ndonjëherë për shtetin e Izraelit, ka ndryshuar rrënjësisht jetën e banorëve të vendit. Rreziku i vazhdueshëm nga goditjet dhe gjendja e luftës e shpallur si kundërpërgjigje, ndikon tek çdo qytetar që kanë humbur çdo ndjesi sigurie. Zëri i Amerikës bisedoi për situatën e krijuar në një intervistë të të drejpërdrejtë me qytetaren nga Tel Avivi, shqiptaro-izraeliten Feliçita Jakoel, e cila është edhe kryetare e shoqatës së miqësisë Izrael-Shqipëri. Zonja Jakoel tha se në 30 vjet që jeton në Izrael, që kur u largua nga Shqipëria, kjo është situata më e rëndë në vend. Vetëm një orë para intervistës, në Tel Aviv kishin rënë sirenat dhe ajo si edhe të gjithë banorët e tjerë, kishin hyrë në dhomat e sigurisë, ku kishte dëgjuar një shpërthim të fuqishëm.

Zëri i Amerikës: Për të folur mbi situatën e krijuar, jemi lidhur drejtpërdrejt nga Tel Avivi me qytetaren shqiptaro-izraelite, Felicita Jakoel, e cila është edhe kryetare e shoqatës së miqësisë Izrael – Shqipëri. Zonja Jakoel, u bë një javë nga sulmi i Hamasit. A mund të na përshkruani ndjesitë tuaja, si një qytetare izraelite që nga ajo ditë?

Felicita Jakoel: Për mua dhe për gjithë izraelitët ajo ditë dhe gjithë java janë jashtëzakonisht të vështira. Por dita e parë dhe e dytë ishin një surprizë, një traumë, një gjendje që nuk e besonim se po e jetonim në realitet, dhe të gjithëve na dukej se po jetonim në një film horror. Gjithë vendi qe në një traumë të jashtëzakonshme, por pas dy a tre ditësh, ashtu siç ndodh edhe me qeniet njerëzore, njerëzit filluan ta marrin veten, vendi filloi ta marrë veten, shteti filloi ta marrë veten dhe tani është krijuar një unanimitet dhe një gatishmëri, që të gjithë bashkë të mundohemi ta kalojmë këtë periudhë, që për mua, që kam 30 vjet që jetoj në Izrael, është padyshim periudha më e vështirë. Izraeli nuk është një vend i lehtë. Kemi kaluar në këto 30 vjet shumë ngjarje dramatike dhe tragjike, por pa shumë diskutim, kjo është ngjarja më e rëndë.

Zëri i Amerikës: Zonja Jakoel, a mund ta përshkruani gjendjen në Tel Aviv, që megjithëse më në distancë nga kufiri jugor, është vënë gjithashtu në shënjestër nga Hamasi?

Felicita Jakoel: Po. Para një ore isha këtu në sallon dhe papritur dëgjova sirenën, dhe menjëherë u ngrita, ashtu si gjithë të tjerët dhe u futa në dhomën e sigurisë, dhe pastaj u dëgjua një shpërthim, që ishte jashtëzakonisht afër. Dukej sikur ishte mbi kokën tonë, aq afër u dëgjua. Ishte një raketë nga Gaza, por edhe me këtë jemi mësuar. Këtu kemi edhe kupolën e hekurt, e cila deri sot ka shpëtuar me mijëra e mijëra jetë njerëzore. Gjendja është shumë e nderë. Dy tre ditët e para çdo gjë ishte mbyllur, të gjithë ishin në shtëpi, nuk kishte njerëz, nuk kishte makina, nuk dëgjoje zëra fëmijësh. Tani këtu në qendër sikur është çliruar pak gjendja: janë hapur disa kafene, njerëzit dalin, por megjithatë të gjithë jemi të kujdesshëm sepse e dimë se gjendja mund të keqësohet.

Zëri i Amerikës: Zonja Jakoel, përmasat e humbjeve njerëzore po sjellin krahasime me kapitujt më të dhimbshëm të historisë së popullit hebre, madje edhe me Holokaustin. Çfarë do të thotë kjo për ju dhe për shoqërinë atje nga pikëpamja emocionale dhe psikologjike?

Felicita Jakoel: Në Izrael Dita e Holokaustit përkujtohet si edhe në gjithë botën, por këtu ajo ditë kujtohet me kujtimet e njerëzve, që i kanë kaluar ato gjëra. Këto ngjarje janë aq të dhimbshme dhe aq traumatike sa që, më besoni, unë çdo vit i them vetes sivjet nuk do ta hap televizorin as do të dëgjoj radion. Por është e pamundur, sepse Holokausti është pjesë e ADN-së së këtij populli. Këto ditë, pa dëgjuar median, por vetëm duke dëgjuar historitë e atyre që i mbijetuan kësaj masakre, në mënyrë të natyrshme të vijnë reminishencat e Holokaustit. Pamje të tmerrshme, historira të patregueshme, gazetarë që qajnë duke folur me të shpëtuarit, ose duke parë gjendjen e atyre fshatrave të shkatërruara, me kufomat e masakruara. Veç të tjerave janë marrë robër në Gaza dhe nuk dihet tani se ç’bëhet me ta. Të gjithë këto janë si rikthimi i një traume jashëzakonisht të thellë dhe të rëndë për popullin hebre.

Zëri i Amerikës: Zonja Jakoel, Izraeli u kundërpërgjigj me goditje ajrore dhe ka bërë thirrje për largimin e banorëve nga Gaza në pritje të një sulmi tokësor. Si iu përgjigjeni shqetësimeve për pasojat ndërmjet civilëve palestinezë, të cilat po shprehen edhe nga ata që mendojnë me forcë që Izraeli ka të drejtën të kundërpërgjigjet ndaj këtyre sulmeve?

Felicita Jakoel: Gjendja e Izraelit eshte e pashpresë. Është një vend i rrethuar, tani kemi paqe me Egjiptin dhe me Jordaninë, por në veri kemi Hezbollah, në kufi afër nesh është Hamasi, një organizatë terroriste, që të gjithë e krahasojnë me ISIS-in dhe që është e financuar dhe e mbështetur nga Irani. Të gjithë ne ishim në shpresë në këtë periudhë për disa arsye. E para: Shumë punonjës nga Gaza vinin çdo ditë dhe punonin në Izrael, nxirrnin bukën e gojës dhe ktheheshin në familjet e tyre në darkë, dhe kjo ndihmonte në përmirësimin e gjendjes së tyre ekonomike. Nga ana tjetër, kishim shumë shpresë se me ndërhyrjen e presidentit Biden, edhe Arabia Saudite do të arrinte në një marrëveshje me Izraelin që pa diskutim do të sillte edhe lehtësime edhe për popullsinë palestineze. Në fakt, kishte filluar një proces paqeje. Ashtu si filloi procesi i paqes në Oslo dhe u shkatërrua nga Hamasi pas vdekjes së J. Rabinit, me autobusat që u hodhën në erë në Tel Aviv, Jeruzalem dhe kështu me radhë, të njëjtën gjë po bën Hamasi tani. Kemi përballë një rrip të ngushtë, ku jetojnë 2 milionë banorë, që unë besoj se shumë prej tyre janë të pafajshëm, por nëntoka është krejt e militarizuar nga Hamasi. Nga dalin këto raketa? Nga vijnë gjithë këto municione që ende ne nuk e besojme si kanë hyrë atje? Atje ka një qytet me labirinte të nëndheshme, të cilat duam apo nuk duam, duhen shkatërruar, se përndryshe kjo gjendje do të kthehet përsëri. Izraeli ka paralajmëruar popullsinë civile të spostohet në mënyrë që të bëhet shkatërrimi i këtij militarizimi. Këtu kam një gjë për të shtuar. A iu kujtohet kur ndodhi Kosova? Çfarë bëri Shqipëria? Hapi dyert për të pranuar kosovarët që vinin nga lufta për t’u strehuar në Shqipëri. Çfarë po bën Egjipti sot, miku i ngushtë i palestinezëve? Po mbyll kufirin. Kjo është e palejueshme. Në vend që të hapë kufirin dhe të krijojë kampe refugjatësh, të cilët jam e sigurtë se do të ndihmoheshin nga e gjithë bota, ai po i mbyll palestinezët në një burg akoma më të ngushtë dhe kjo e bën situatën akoma më të vështirë. Problemi nuk është vetëm: Ne dhe Hamasi. Problemi është: Ne dhe Irani. Dhe Irani është një armiqtë më të rrezikshëm sot jo vetëm për Izraelin, por edhe për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjithë Europën. Prandaj, problemet duhen parë në sy më të gjerë. Unë si person i përkas të majtës së Izraelit, që mendojmë se duhet të ketë një shtet palestinez, ku ata të jetojnë në paqe dhe siguri, siç jetojmë dhe ne. Por kemi ardhur në një pikë, që kemi të bëjmë me një organizatë të pashpirt, brutale, të skajshme dhe fanatike.

Zëri i Amerikës: Zonja Jakoel, ju falemnderit shumë për perspektivën tuaj…

Felicita Jakoel: Fola me pasion, por duhet ta kuptoni, që gjendja këtu është shumë e vështirë. Izraeli këto ditë është në zi. Ne jemi duke qarë vajzat dhe djemtë, që janë vrarë këto ditë të tmerrshme.