Arabia Saudite po i vendos planet e mbështetura nga SHBA për të normalizuar lidhjet me Izraelin në ‘ngrirje’, thanë dy burime të njohura me qëndrimin e Riadit, duke sinjalizuar një rishikim të shpejtë të prioriteteve të politikës së saj të jashtme ndërsa lufta përshkallëzohet midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.
Konflikti e ka shtyrë gjithashtu mbretërinë të angazhohet me Iranin. Princi i kurorës saudit Mohammed bin Salman mori telefonatën e tij të parë nga presidenti iranian Ebrahim Raisi ndërsa Riadi përpiqet të parandalojë një rritje më të gjerë të dhunës në të gjithë rajonin.
Dy burimet i thanë Reuters se do kishte një vonesë në bisedimet e mbështetura nga SHBA-ja për normalizimin me Izraelin që do ishte një hap kyç për mbretërinë për të siguruar atë që Riadi e konsideron çmimin e vërtetë të një pakti mbrojtjeje me SHBA-në në këmbim të marrëveshjes.
Para se Hamas-i i mbështetur nga Irani të ndizte një lutë ndaj Izraelit më 7 tetor duke nisur një sulm shkatërrues ndaj tij, udhëheqësit izraelitë dhe sauditë kishin thënë se po lëviznin në mënyrë të qëndrueshme drejt një marrëveshjeje që mund të kishte riformuar Lindjen e Mesme.
Arabia Saudite, vendlindja e Islamit dhe shtëpia e dy vendeve të tij më të shenjta, kishte treguar deri në konfliktin e fundit se nuk do lejonte që ndjekja e paktit të mbrojtjes me SHBA-në të prishej edhe nëse Izraeli nuk do u ofronte lëshime të rëndësishme palestinezëve në përpjekjen e tyre për shtetësi, thanë më parë burimet.
Por një qasje që anashkalonte palestinezët do rrezikonte të zemëronte arabët në rajon, pasi mediat arabe të lajmeve transmetonin pamje të palestinezëve të vrarë në sulmet ajrore izraelite.
Luftëtarët e Hamasit vranë më shumë se 1,300 izraelitë në sulmin e tyre të 7 tetorit dhe më shumë se 1,500 ishin vrarë të premten në sulmet e vazhdueshme të Izraelit në Gaza si kundërpërgjigje.
Burimi i parë i njohur me qëndrimin e Riadit tha se bisedimet nuk mund të vijonin tani për tani dhe çështja e lëshimeve izraelite për palestinezët do duhej të ishte një prioritet më i madh kur të rifillonin diskutimet, një koment që tregon se Riadi nuk e ka braktisur idenë.
Qeveria saudite nuk iu përgjigj kërkesave të dërguara me email për koment mbi këtë shkrim.
‘KONSIDERUAR TABU’
Rishikimi saudit nënvizon sfidat me të cilat përballen përpjekjet e Uashingtonit për të thelluar integrimin e Izraelit në një rajon ku kauza palestineze mbetet një shqetësim i madh arab.
“Normalizimi tashmë konsiderohej tabu në botën arabe e kjo luftë vetëm e përforcon këtë,” tha analisti saudit Aziz Alghashian.
Uashingtoni dëshiron të ecë para me Marrëveshjet e Abrahamit ku shtetet e Gjirit, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, të normalizojnë lidhjet me Izraelin.
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan tha në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë këtë javë se përpjekja e normalizimit ‘nuk ishte në pritje’, por tha se fokusi ishte në sfida të tjera të menjëhershme.
Burimi i parë i njohur me mendimin saudit tha se Uashingtoni i kishte bërë presion Riadit këtë javë për të dënuar sulmin e Hamas-it, por tha se ministri i Jashtëm saudit Princi Faisal bin Farhan u tërhoq. Një burim amerikan i njohur me këtë çështje e konfirmoi këtë.
Konflikti rajonal ka nxitur gjithashtu princin e kurorës saudit dhe presidentin e Iranit të flasin për herë të parë pasi një nismë e ndërmjetësuar nga Kina i shtyu rivalët e Gjirit të rivendosin marrëdhëniet diplomatike në prill.
Një deklaratë saudite tha se princi i kurorës i tha Raisit ‘mbretëria po bën përpjekje maksimale për t’u angazhuar me të gjitha palët ndërkombëtare dhe rajonale për të ndalur përshkallëzimin e vijueshëm’, duke nënvizuar masën e Riadit për të frenuar krizën.
Një zyrtar i lartë iranian i tha Reuters se thirrja, e bërë nga Raisi ndaj princit të kurorës, synonte të mbështeste ‘Palestinën dhe të parandalonte përhapjen e luftës në rajon’.
“Thirrja ishte e mirë dhe premtuese”, tha zyrtari.
Një zyrtar i dytë iranian tha se telefonata zgjati 45 minuta dhe kishte bekimin e liderit suprem Ayatollah Ali Khamenei.
ULJA E TENSIONEVE
Qeveria saudite nuk dha hollësi të mëtejshme për thirrjen, por në deklaratë thuhej se princi i kurorës deklaroi ‘kundërshtimin e mbretërisë ndaj çdo forme të shënjestrim të civilëve dhe humbjes së jetëve të pafajshme’ dhe shprehu ‘qëndrimin e palëkundur të Riadit në mbrojtje të kauzës palestineze’.
Arabia Saudite ka kërkuar të lehtësojë tensionet diku tjetër në Lindjen e Mesme, duke përfshirë përpjekjen për t’i dhënë fund një konflikti në Jemen, ku Riadi ka udhëhequr një koalicion ushtarak në një luftë kundër Houthi-ve të lidhur me Iranin.
I pyetur për telefonatën e Raisit me princin e kurorës, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit të SHBA-së tha se Uashingtoni ishte në ‘kontakt të vazhdueshëm me udhëheqësit sauditë’. Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka zhvilluar disa telefonata me homologun e tij saudit.
Zyrtari tha se Uashingtoni po u kërkonte partnerëve që kishin kanale komunikimi me Hamasin, Hezbollahun – një grup i armatosur libanez i rreshtuar me Teheranin që luftoi me Izraelin në vitin 2006 – ose Iranin ‘që ta detyrojnë Hamas-in të tërhiqet nga sulmet e tij, të lirojë pengjet, të mbajë Hezbollahun jashtë dhe të mbajë Iranin jashtë përleshjes’.
Burimi i parë i njohur me qëndrimin saudit tha se shtetet e Gjirit, përfshirë ato me lidhje izraelite, ishin të shqetësuar se Irani mund të tërhiqej në një konflikt që do t’i prekte ata.
Alex Vatanka, drejtor i Programit të Iranit në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington, tha se java e kaluar tregoi se si ndryshuan vizionet saudite dhe iraniane për rajonin.
“Sauditët janë ende të bindur se rajoni dhe vetë Arabia Saudite duhet të zhvendosen drejt bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimit ekonomik. Irani duket se mendon se përparësia është të bëjë luftën së pari ndaj izraelitëve,” tha ai.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani