Vendosni fjalën kyçe....

Partnerët perëndimorë po e humbasin fokusin në ndihmën ndaj Ukrainës – Ministri i Financave


Sigurimi i mbështetjes financiare po bëhet më i vështirë për Kievin pasi partnerët perëndimorë e zhvendosin fokusin e tyre në çështjet e brendshme dhe tensionet gjeopolitike, tha ministri ukrainas i Financave për Reuters të shtunën.

Duke folur në margjinat e takimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore në Marrakech (Marok), Sergey Marchenko tha se Kievi duhet të bëjë ‘dy here më shumë përpjekje tani për të bindur partnerët që të ofrojnë mbështetje në krahasim me takimet e fundit vjetore’ në pranverë.

“Unë shoh shumë lodhje, shoh shumë dobësi në mesin e partnerëve tanë, ata do donin të harronin luftën, por lufta është ende në vazhdim, në shkallë të plotë”, tha ministri, duke iu referuar konfliktit me Rusinë.

Ndër faktorët që largojnë vëmendjen perëndimore nga Ukraina, zyrtari përmendi armiqësitë midis grupit militant palestinez Hamas, i cili kontrollon Gazën, dhe Forcave të Mbrojtjes izraelite.

Shumë kanë frikë se konflikti mund të përhapet në Lindjen e Mesme më të gjerë, duke prishur të gjithë ekonominë globale, pasi rajoni është një furnizues thelbësor i energjisë dhe një qendër kryesore e transportit detar.

Marchenko gjithashtu vuri në dukje zgjedhjet e vitit të ardhshëm në SHBA dhe Evropë si një tjetër shpërqendrim. Ai theksoi se ‘një ndryshim gjeopolitik dhe kontekst i brendshëm politik në vende të ndryshme’ po i bënte qeveritë e aleatëve më pak të përqendruara në mbështetjen e Ukrainës.

“Ne tashmë kemi disa angazhime, si 5.4 miliardë dollarë nga programi i FMN-së, dhe presim angazhime nga Japonia dhe Mbretëria e Bashkuar, dhe sigurisht, ne mbështetemi te partnerët tanë kryesorë dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian,” tha Marchenko