Vendosni fjalën kyçe....

Kush është 35-vjeçari që u zgjodh presidenti më i ri në historinë e Ekuadorit teksa vendi përballet me krimin në rritje


Kandidati i qendrës së djathtë Daniel Noboa, djali 35-vjeçar i një manjati bananesh, do bëhet presidenti i ardhshëm i Ekuadorit. njëherazi presidenti më i ri në historinë e vendit, pas zgjedhjeve të nxitura nga shqetësimet për rritjen e dhunës dhe përkeqësimin e gjendjes së sigurisë në kombin e Amerikës Latine.

Më shumë se 10 milionë votues shkuan në kutitë e votimit në zgjedhjet presidenciale dhe të dhënat nga Këshilli Kombëtar Zgjedhor i Ekuadorit (CNE) tregojnë se Noboa ka marrë 52.3% të votave (4,829,130).

Rivalja e tij kryesore politike, kandidatja e majtë dhe kandidatja kryesore e raundit të parë Luisa González, mori 47.7% të votave (4,404,014), tha CNE.

Noboa ishte ligjvënës përpara se presidenti në largim Guillermo Lasso të shpërndante legjislaturën dhe të bënte thirrje për zgjedhje të parakohshme.

Noboa, një kandidat i partisë ‘Açión Democrática Nacional’, është zotuar të krijojë më shumë mundësi pune për të rinjtë, të sjellë më shumë investime të huaja, duke përdorur teknologjinë për të luftuar krimin dhe ka sugjeruar disa masa kundër korrupsionit, duke përfshirë dënime për evazion fiskal.

Duke folur me gazetarët pas rezultatit, Noboa falënderoi gruan, prindërit dhe Zotin që e lejuan t’i shërbente vendit të tij.

“Falënderoj gjithashtu të gjithë ata njerëz që kanë qenë pjesë e një projekti të ri politik, të ri, të pamundur, një projekti politik qëllimi i të cilit ishte t’i kthente buzëqeshjen vendit,” tha ai.

“Duke filluar nga nesër, Daniel Noboa, presidenti juaj i republikës, fillon punën.”

Rivalja e tij, González e partisë ‘Movimiento Revolución Ciudadana’, një e parapëlqyer e ish-presidentit të majtë Rafael Correa, premtoi rritjen e shpenzimeve publike dhe programet sociale dhe trajtimin e krizës së sigurisë duke rregulluar shkaqet kryesore të dhunës, si varfëria dhe pabarazia.

González ishte kryesuese në raundin e parë të votimit.

Ajo pranoi fitoren e Noboa-s pas shpalljes së rezultatit, duke thënë se do e përgëzonte për fitoren.

“Kandidatit tani president të zgjedhur, ne i urojmë thellësisht për fitoren sepse është demokraci; asnjëherë nuk kemi bërë thirrje që të digjet një qytet, nuk kemi dalë kurrë të bërtasim se zgjedhjet u manipuluan”, tha ajo.

Siguria ishte e rreptë gjatë gjithë votimit të së dielës me dhjetëra mijëra oficerë policie dhe personel ushtarak të vendosur në qendrat e votimit në gjithë vendin.

Krimi mbeti një shqetësim kryesor gjatë balotazhit të Ekuadorit, disa muaj pas vrasjes së një kandidati të profilit të lartë, Fernando Villavicencio, i cili u qëllua për vdekje disa ditë përpara zgjedhjeve të raundit të parë të 20 gushtit.

Vrasja u bë një simbol tragjik i përkeqësimit të gjendjes së sigurisë në vend, ku organizatat kriminale rivale kanë dhënë shfaqje brutale dhe shpesh publike të dhunës në rrugët dhe burgjet e vendit në betejën e tyre për të kontrolluar rrugët e trafikut të drogës.

Pjesëmarrja në votime ishte ‘historike’ me 82.33% pavarësisht shqetësimeve fillestare të sigurisë, tha presidentja e CNE Diana Atamaint pas mbylljes së qendrave të votimit të dielën.

Punë e vështirë përpara

Përpara se Ekuadori, një komb prej afro 17 milionë banorësh, të shndërrohej në një nga vendet më të rrezikshme në rajon, ai njihej si një vend relativisht paqësor që ishte i vendosur midis dy prej prodhuesve më të mëdhenj të narkotikëve në botë, Perusë dhe Kolumbisë.

Portet e tij, ekonomia e dollarizuar dhe korrupsioni e kanë bërë atë një pikë kyçe tranziti për drogën që shkon drejt konsumatorëve në SHBA dhe Evropë. Dhuna në rritje, e shoqëruar me mungesën e perspektivës ekonomike, ka detyruar gjithashtu shumë ekuadorianë të largohen nga vendi.

“Ne nuk jemi të sigurt se çfarë do arrijë ta ndalë këtë sepse nuk mund të jetojmë më me frikë”, tha pronari i një biznesi të vogël César Ortiz për ‘CNN en Espanol’ në Quito përpara zgjedhjeve.

Ortiz tha se shpreson që presidenti i ri të përqendrohet jo vetëm te siguria, por edhe te ekonomia, sepse ‘ka kaq shumë njerëz që janë të papunë, prandaj krimi është i përhapur’.

Presidenti i ri do ketë relativisht pak kohë për të punuar për një zgjidhje për problemet e vendit. Ai do e mbajnë detyrën deri në vitin 2025, që do ishte fundi i mandatit të ish-presidentit të dorëhequr Lasso, një dritare shumë e shkurtër.

VINI RE: Ky  material është pronësi intelektuale e CNN