Vendosni fjalën kyçe....

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare nobelisti Martti Ahtisaari, ish-i dërguari i OKB-së në Kosovë


Ish-ndërmjetësi kryesor i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, është ndarë nga jeta sot në moshën 86-vjeçare.

Siç njoftoi faqja zyrtare e Presidencës finlandeze, Ahtisaari vdiq të hënën në mëngjes në Helsinki.

“Me pikëllim të thellë morëm lajmin për vdekjen e Presidentit Martti Ahtisaari. Marti Ahtisaari besonte te njerëzit, qytetërimi dhe mirësia. Ai jetoi një jetë të mrekullueshme, të jashtëzakonshme. Ai ishte presidenti i kohërave në ndryshim, i cili udhëhoqi Finlandën në epokën globale të BE-së”, tha presidenti aktual finlandez, Sauli Niinistö.

86-vjeçari ishte presidenti i dhjetë i Finlandës, që shërbeu nga viti 1994 deri në vitin 2000 dhe i pari që u zgjodh përmes një votimi të drejtpërdrejtë popullor me dy faza, në krahasim me sistemin e mëparshëm të kolegjit zgjedhor.

Në vitin 2008, ai u bë finlandezi i parë që mori Çmimin Nobel për Paqe ‘për përpjekjet e tij të rëndësishme, në disa kontinente dhe mbi tre dekada, për të zgjidhur konfliktet ndërkombëtare’, duke përfshirë Kosovën, Irakun, Namibinë dhe Indonezinë.