Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se nëse Ukraina dëshiron të fillojë negociatat me Rusinë, duhet të anulojë dekretin për ndalimin e negociatave dhe të shpallë gatishmërinë e saj për dialog.
“Presidenti i Ukrainës nxori një dekret që ndalon zhvillimin e negociatave të paqes me të gjithë, duke përfshirë edhe veten. Epo, si mund të negociojë nëse nuk e dëshiron, ata madje kanë nxjerrë një dokument që i ndalon ato negociata”, tha Putin në një intervistë.
Ai shtoi se pala ukrainase, nëse dëshiron të nisë negociatat, fillimisht duhet ta anulojë atë dekret, raportoi agjencia e lajmeve ruse Sputniknews.
“Dhe për të shpallur gatishmërinë për ato negociata. Ne jemi të gatshëm, duke përfshirë edhe përdorimin e propozimeve të miqve tanë kinezë. Humbjet e Ukrainës gjatë kundërofensive në krahasim me humbjet e ushtrisë ruse janë afërsisht tetë me një”, tha Putin.
Ai gjithashtu shtoi duke thënë: “Ata thanë se do ta mposhtin Rusinë dhe do të fitojnë në fushën e betejës, se do ta mposhtin Rusinë strategjikisht. Ata filluan operacionet ushtarake aktive, të ashtuquajturën kundërofensivë. Ajo ka vazhduar që nga 4 qershori. Ende nuk ka rezultate. Humbjet janë të mëdha, afërsisht një deri në tetë”.