Kryeministri Rama ka pritur liderët evropianë e ata ballkanikë që do marrin pjesë në Samitin e Procesit të Berlinit që zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së.
Mes tyre merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili është pritur nga Rama. Pas shtrëngimit të duarve ata kanë bërë një foto shkurt dhe më pas Kurti është futur në kryeministri.
Marrëdhëniet mes Ramës e Kurtit kanë njohur tensione së fundmi pas sulmit me armë në Banjskë të Kosovës ku humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku e u vranë tre nga agresrët serbë.
Pak ditë më parë, Rama e shmangu Kurtin, teksa ndodheshin të dy në stadiumin ‘Air Albania’, për të ndjekur ndeshjen Shqipëri-Çeki.
Rama ka pritur me përqafime edhe kryeministrin teknik të Malit të Zi Dritan Abazoviç. Ky i fundit tha se kryeministri shqiptar ka sjellë Evropën në Tiranë e Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen e rajonit në BE.
“Kryeministri Rama ka sjellë gjithë Europë në Tiranë ashtu si gjithë Ballkanin Perëndimor ashtu si është një shenjë shumë e mirë shpresoj që e ardhmja e të gjithëve është në Bashkimi Evropian”, tha Abazoviç.