Vendosni fjalën kyçe....

Samiti i Procesit të Berlinit, mbi 2000 efektivë në terren, rrugët që bllokohen


Mbi 2 mijë policë e agjentë janë sot në terren për të siguruar mbarëvajtjen e Samitit të Procesit të Berlinit.

Vendi i zhvillimit të samitit është te Piramida, ku rrugët rreth saj janë të rrethuara.

Përveç rrugëve përreth Piramidës, ka një numër të madh rrugësh të tjera që do jenë të bllokuara ose me lëvizje të kufizuar deri në përfundim të samitit.

Rrugët që do bllokohen

Për garantimin e sigurisë, para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

  • Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te sheshi “Nënë Tereza”;
  • Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
  • Rruga “Papa Gjon Pali II”, “ETC-RTSH-Stadium”;
  • Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”;
  • Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
  • Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe në rrugën “Papa Gjon Pali II”;
  • Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
  • Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
  • Rruga “Ukraina e lirë”.

Në këto akse rrugore deri në përfundim të Samitit, në orën 20:00, do të ndalohet parkimi, qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve, por do të lejohet vetëm lëvizja e qytetarëve që janë rezidentë në ambiente banimi brenda perimetrit të sigurisë.

Të gjitha bizneset private që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë do të jenë të mbyllura.

Në rrugën “Papa Gjon Pali II”, nuk do të lejohet as lëvizja me këmbë, e qytetarëve.

Ndalim të qarkullimit të automjeteve nga ora 08:00 deri në orën 12:00, dhe nga ora 15:30 deri në orën 20:00, do të ketë në akset rrugore:

  • Rinas – Mbikalimi i Kasharit – autostrada “Durrës – Tiranë” – ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – rrethrrotullimi i Saukut – rrethrrotullimi pranë Akademisë së Sigurisë – Pallati i Brigadave – rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”;
  • Bulevardi “Bajram Curri”, nga kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”, deri te Rruga e Elbasanit (ky ndalim vlen për të gjitha llojet e mjeteve);
  • Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi me bulevardin “Zhan D’Ark” deri te sheshi “Nënë Tereza”;
  • E gjithë rruga “Papa Gjon Pali II”;
  • Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi me Rrugën e Elbasanit, deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”.
  • Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.