Vendosni fjalën kyçe....

Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë, diskutimet mes liderëve europianë dhe premtimi për qasjen e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së brenda 2030-ës


Për herë të parë, në Tiranë po mbahet Samiti i Procesit të Berlinit, ku po marrin pjesë liderët më të rëndësishëm europianë, si edhe ata të Ballkanit Perëndimor.

Që në nisje të tij, presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel garantoi vendet e Ballkanit Perëndimor se Bashkimi Europian do të mbajë premtimin dhe se integrimi në union do të realizohet brenda 2030-ës.

‘Të jemi gati deri në 2030 për t’u zgjeruar. krahasimi me një nuse. ne po e përgatisim këtë dasëm. Zgjerimi proces bazuar në meritë”, tha Michel.

Ndërsa kreu i qeverisë, Edi Rama nuk kurseu kritikat lidhur me Procesin e Berlinit, ndërsa ishte i ulur krah kancelarit gjerman Olaf Scholz, vendi i të cilit inicioi këtë nismë.

Rama tha përpara liderëve të Bashkimit Europian se premtimet ekonomike të procesit të Berlinit nuk janë realizuar plotësisht.

Megjithatë më duhet të theksoj se premtimet ekonomike të Procesit te Berlinit nuk janë realizuar plotësisht për ta thënë në mënyrë të butë, sidomos kur krahasohet me mendësinë transformuese politike që ka sjellë. Angela Merkel e theksoi këtu, e theksoi këtë në Procesin e Berlinit në takimin e Polonisë dhe në fakt ajo tha që demokracia pa infrastrukturë nuk mund të funksionojë si duhet”, tha Rama.

Kryeministri Rama shtoi se mes vendeve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor ekziston një ndarje e frikshme klasore, duke i këlrkuar BE-së të mos vërë afate anëtarësimi.

“Për të folur dhe diskutuar këtë, mund të them që fqinjët tanë të BE-së kanë marrë të paktën mbi 4500 euro për frymë, ndërkohë që vendet tona marrin 138 euro për frymë dhe këto shifra janë një dëshmi fillestare e shkallës së frikshme të një ndarjeje klasore do thoja e cila është thelluar dhe ka thelluar në mënyrë progresive ndarjen tonë në të njëjtën ‘’shtëpi’’ të Europës, në të njëjtin vit ku kriza të forta kanë goditur kontinentin ndërkohë që thellësia, rëndësia e këtyre krizave na kanë sjellë edhe më afër në nivel politik e njerëzor”, tha Rama.

Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi se ky samit tregon rëndësinë e pamohueshme të Rajonit në union.

“Është sinjal i fortë edhe fortësinë që ka Rajoni në këtë proces. Integrimi brenda për brenda Rajonit dhe ecuria e BE-së. Ndikimi i marrëveshje të firmosura vjet  te qytetarët e BP është konkret”, tha Scholz.

Ndërsa kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen tregoi qëllimin e unionit për t’i dhënë qasje Ballkanit Perëndimor në tregun e përbashkët europian.

“Për këtë arsye kam prezantuar planin e rritjes. Duam që t’u japim qasje në tregun e përbashkët europian. Për këtë, na duhen reforma në Ballkanin Perëndimor dhe ata që kanë vullnetin të reformohen, do të marrin financim nga Bashkimi Europian. Është një stimul për ata që vërtet duan të ecin përpara. Dyert tona janë të hapura, kështu që le të punojmë për këtë të çuar para këtë plan rritjeje”.

Dy janë elementët kryesorë për t’u analizuar në Forumin e Udhëheqësve të Procesit të Berlinit.

Së pari elementi politik.

Një prej shtyllave të Procesit të Berlinit themeluar në vitin 2014 është fqinjësia e mirë në rajon. E në këtë kontekst situata e tensionuar pas 24 Shtatorit në Veri të Kosovës është një temë për t’u diskutuar aq më tepër që në Tiranë nesër do të jenë dy arkitektët e planit Franko-Gjerman.

Aspekti i dytë dhe më i rëndësishmi, ai me karakter ekonomik.

Në 31 Maj 2023 nga forumi, GLOBSEC në Bratislavë Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, njoftoi se BE është duke punuar për “New Plan Growth” (Planin e rritjes) për vendet e rajonit por nuk dha shifra se ku konsiston ky plan në terma financiar.

Takimi zhvillohet nën sfondin e tensioneve të forta mes Serbisë dhe Kosovës, pas sulmit të armatosur që ndodhi më 24 shtator, në Veriun e Kosovës. Për herë të parë, që pas përplasjeve me Ramën, mbërriti në Tiranë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Nga radhët e Serbisë merr pjesë kryeministrja Ana Brnabic.

Mesazhet e liderëve kanë qenë të qarta edhe për Kosovën dhe Serbinë. Scholz tha se ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet, ndërsa Michel u kërkoi që të mos i “lënë fantazmat e të shkuarës që t’i vjedhin të ardhmen”.

“Ka ardhur koha për të tejkaluar konfliktet që kanë vijuar shumë më gjatë dhe që u mbajnë të gjithëve në vend numëro, edhe sulmi në veri të Kosovës e dha këtë mesazh“, tha Scholz.

Gjatë fjalimeve të gjithë liderët shprehën mbështetjen ndaj Izraelit dhe të drejtën e tij për t’u mbrojtur ndaj sulmeve të Hamas. Kryeministri i Spanjës Pedro Sanchez kërkoi veçanërisht mbrojtjen e civilëve dhe kërkoi njohjen e dy shteteve si e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund luftës.

“Dënojmë hamasin për sulmin ndaj izraelit. ka të drejtë të mbrohet. Mbrojtja e civilëve thelbësore. Të shmanget përshkallëzimi i dhunës dhe zgjidhje e paqshme Izrael-palestinë. njohja e dy shteteve që të mund të bashkëjetojnë në paqe e siguri me njëra-tjetrën”, tha ai.

Ndërsa kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, nuk harroi të fliste dhe për çështjen e Fredi Belerit, për të cilin këmbënguli sërish se duhet të betohet si kryebashkiak i Himarës, si kusht që Greqia të bie dakord për fillimin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë.

Samiti po zhvillohet për herë të parë jashtë kufijve të BE-së dhe organizimi i është besuar qeverisë shqiptare. Në orën 12:00 nisi sesionin i parë, ku u diskutua mbi Integrimin e Rajonit në Tregun Unik dhe Përmirësimi i Konvergjencës me BE.

Në sesionin e dytë, do të diskutohet bashkëpunimi për investime në fusha të ndryshme, ndërsa në fund do të këtë një konferencë të përbashkët Rama-Scholz Von der Leyen.

 

 

Samiti I Berlinit Tirane Piramida1

foto galeri