Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Poloni, koalicioni opozitar duket se ka marrë shumicën e votave


Mëngjesi i së hënës e gjeti Poloninë përballë një pasigurie politike, pas një pjesëmarrje të gjerë në votimet një ditë më parë, ku rezulton se partitë e opozitës kanë fituar një shumicë të kombinuar.

“Pres që gratë të kenë më shumë të drejta, që ato të ndihen më të sigurta, të vlerësohen më shumë në shoqëri. Shpresoj gjithashtu që nepotizmi të marrë fund, për shembull në kompanitë shtetërore dhe të tjera”, thotë 43-vjeçarja Iga Frackiewicz.

Por rezultatet paraprake tregojnë se partia konservatore në pushtet ka marrë më shumë vota se çdo parti, ndërsa është shprehur se do të përpiqet të vazhdojë ta qeverisë vendin.

Sipas një sondazhi të publikuar të hënën në mëngjes nga Ipsos, nacionalistët në pushtet kanë marrë 36.6% të votave, ndërsa Koalicioni Qytetar në opozitë, i udhëhequr nga Donald Tusk, renditet në vend të dytë me 31% të votave.

“Kam vite që merrem me politikë dhe sport. Por kurrë nuk kam qenë kaq i lumtur në jetën time me këtë vend të dytë. Polonia ka fituar. Demokracia ka fituar. Ne i hoqëm ata (PiS) nga pushteti”, tha të dielën mbrëma udhëheqësi i opozitës polake, Donald Tusk.

Në mënyrë që një qeveri të miratojë ligje, asaj i nevojiten të paktën 231 vende në dhomën e ulët të parlamentit me 460 anëtarë. Sipas agjencisë së sondazheve Ipsos, partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi e Jaroslaw Kaczynski-it duket se ka marrë 198 vende, një rënie e mprehtë nga shumica e vogël aktuale që ka mbajtur gjatë tetë viteve të fundit.

“Kemi ditë të vështira përpara nesh, ditë tensionesh të llojeve të ndryshme. Por kjo finale do të tregojë formën e vazhdimësisë së programit tonë, gjithçka kemi bërë për Poloninë”, tha udhëheqësi i partisë Ligj dhe Drejtësi, Jaroslaw Kaczynski.

Edhe me partinë e ekstremit të djathtë, Konfederatën, partia në pushtet nuk do të kishte shumicën. Megjithatë, menaxheri i fushatës së partisë Ligj dhe Drejtësi tha të hënën në mëngjes në një intervistë në radio se partia e tij fitoi dhe do të përpiqet të ndërtojë një qeveri të udhëhequr nga kryeministri aktual Mateusz Morawiecki.

Anketat me polakët pas votimit tregojnë se partitë e opozitës kanë marrë 248 vende në parlament, çka nënkupton shumicën. Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se rezultati zyrtar do të njoftohet të martën.

Presidenti Andrzej Duda, një aleat i partisë në pushtet Ligj dhe Drejtësi, duhet të thërrasë seancën e parë të parlamentit të ri brenda 30 ditësh dhe të caktojë një kandidat për kryeministër që të përpiqet të formojë qeverinë. Ndërkohë, qeveria aktuale do të ketë një rol kujdestar./ VOA