Vendosni fjalën kyçe....

Ardhja e Macron në Shqipëri, Rama: Vizitë miqësore dhe angazhim për të thelluar më tej marrëdhënien mes vendeve


Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Francës Emmanuel Macron kanë nisur konferencën e tyre për mediat, me kreun e qeverisë shqiptare që ka mbajtur fjalën hapëse.

Rama është shprehur se shpesh e shmang fjalën “i lumtur” ashtu siç e sugjeron protokolli diplomatik, dhe përdor fjalën “i kënaqur”, por tha se në këtë rast ndihet “shumë i lumtur” që gjendet krahë Presidentit të Francës në Tiranë.

Sipas tij kjo është më shumë se thjesht një vizitë formale, por e cilësoi atë si “vizitë miqësore dhe angazhimi për të thelluar më tej marrëdhënien mes vendeve”.

“Jam besimplotë se me gjithë këtë shtysë të forta që na keni dhënë sot për të patur kontakt shumë më të ngushtë mes vendeve, frëngjishtja ime nesër do jetë më e mirë se sot.

Në protokollin diplomatik fjala “i lumtur” përdoret shpesh. E vërteta është se sa herë gjendem në një situatë si kjo ku duhet shprehur kënaqësia për pritjen e një miku të çmuar e evitoj këtë fjalë, që sugjeron ministria e jashtme në fjalimet e mia dhe them “i kënaqur”,Sot dëshiroj të them me plotë gojën se jam i lumtur, shumë i lumtur që jam në krah të Presidentit francez, jo në Paris, Bruksel apo tjetër kryeqytet të Europës, por në Tiranë. Jam shumë i lumtur që pas një pritjeje shekullore, në Shqipëri vjen për një vizitë shefi i shtetit francez.

Kjo është më shumë se një vizitë formale, është miqësore dhe angazhimi për të thelluar më tej marrëdhënien mes vendeve tona. Po të shohim të dhënat ka njohur një zhvillim të papritur në vitet e fundit si rezultat i një riangazhimi të Francës në rajon përmes angazhimit të drejtpërdrejtë të Presidentit në kërkim të një marrëdhënie shumë konkrete dhe produktive për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor.

Marrëdhënie kjo që duhet të jetë në gjendje që në çdo hap t’u japë vendeve tona mundësinë e bashkimit me Europën, pa rënë në kurthin e traditës së procesit të integrimit, i cili sipas meje dhe Presidentit duhet të vijojë në meritën e çdo vendi, por nuk duhet lënë të bëhet një arsye ankthi në raport me të ardhmen e vendeve tona. Jam shumë i lumtur që Presidenti e tha mbrëmë qartë se zgjerimi i BE-së nuk duhet të pengojë ribashkimin e Europës dhe për këtë unë jam shumë shpresëplotë që Presidenti do udhëheqë një proces të tillë”, u shpreh Rama.