Vendosni fjalën kyçe....

Ç’duhet ditur për Hezbollah-un, origjina, lidhja me Iranin e Hamas-in, përplasjet me Izraelin (një shpjegim i përmbledhur)


Ndërsa ushtria izraelite përgatitet për atë që duket të jetë një pushtim i afërt tokësor i Rripit të Gazës, grupi militant Hezbollah shfaqet në Liban pikërisht përtej kufirit verior të Izraelit.

Disa orë pas sulmit të përgjakshëm të Hamas-it më 7 tetor, Hezbollah-u hodhi raketa dhe qëlloi me artileri drejt Izraelit, gjë që u prit me një breshëri artilerie. Që nga ajo kohë, përplasjet nuk janë ndalur.

Të shtunën herët, Forcat Mbrojtëse të Izraelit thanë se kishin goditur një objektiv të Hezbollah-ut në Libanin jugor në përgjigje të ‘infiltrimit të objekteve ajrore të paidentifikuara në Izrael’.

Kjo erdhi pasi Naim Qassem, zëvendësshefi i Hezbollah, tha të premten se grupi po ndjek nga afër zhvillimet midis Hamas-it dhe Izraelit.

Hezbollah-u i Libanit ka shkëmbyer zjarr me Izraelin përtej kufirit prej ditësh në përshkallëzimin më vdekjeprurës që kur ata u përballën në një luftë të madhe në 2006, duke kërcënuar të zgjerojë një konflikt midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas.

I mbështetur nga Irani, Hezbollah ka thënë se është i gatshëm të ndihmojë kur të vijë koha në luftën midis Izraelit dhe Hamas-it, i cili gjithashtu mbështetet nga Teherani. Burimet thanë se sulmet e deritanishme të Hezbollah-ut javën e kaluar ishin projektuar për t’u kontrolluar dhe për të shmangur një luftë tjetër të madhe.

Ministri izraelit i Mbrojtjes tha më 15 tetor se Izraeli nuk kishte asnjë interes të zhvillonte luftë në frontin e tij verior dhe se nëse Hezbollah do frenohej, atëherë Izraeli gjithashtu do e mbante gjendjen përgjatë kufirit ashtu siç është.

Origjina e Hezbollah-ut?

Garda Revolucionare e Iranit themeloi Hezbollah-un në vitin 1982, në mes të Luftës Civile të Libanit të viteve 1975-90. Ishte pjesë e përpjekjeve të Iranit për të eksportuar Revolucionin e tij Islamik të vitit 1979 në rajon dhe për të luftuar forcat izraelite pas pushtimit të tyre të Libanit në vitin 1982.

Duke ndarë ideologjinë islamike shiite të Teheranit, Hezbollah rekrutoi myslimanë shiitë libanezë.

Grupi është ngritur nga një fraksion në hije në një forcë të armatosur rëndë me ndikim të madh mbi shtetin libanez. Shtetet e Bashkuara, disa qeveri perëndimore dhe të tjera e konsiderojnë atë një organizatë terroriste. I krijuar me mbështetjen e Iranit, grupi vendosi si mision për të dëbuar forcat izraelite nga Libani, duke i rezistuar ndikimit perëndimor në Lindjen e Mesme.

Organizata e cilëson veten si një lëvizje rezistence shiite brenda Libanit që beson në të drejtën e vendit për vetëvendosje, ndërkohë që premton besnikëri ndaj liderit suprem iranian Ali Khamenei, sipas një raporti të fundit nga Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, me bazë në Nju Jork. Udhëheqësi i Hezbollah-ut, Hassan Nasrallah, është një anëtar i Lëvizjes Amal, një milici shiite që ishte një nga grupet e shumta që luftonin për pushtet gjatë luftës civile libaneze, përpara se të bashkohej me Hezbollah-un në 1982.

I lidhur ngushtë me regjimin iranian, ai mori postin e Sekretarit të Përgjithshëm në vitin 1992 pasi Izraeli vrau bashkëthemeluesin dhe udhëheqësin e mëparshëm të grupit, Abbas Al-Musaëi, sipas Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Fuqia ushtarake e grupit

Ndërsa grupet e tjera u çarmatosën pas luftës civile të Libanit, Hezbollah i mbajti armët e tij për të luftuar forcat izraelite që po pushtonin jugun me shumicë shiite të vendit. Vitet e luftës guerile bëri që Izraeli të tërhiqej në vitin 2000.

Hezbollah demonstroi përparimet e tij ushtarake në vitin 2006 gjatë një lufte pesëjavore me Izraelin, e cila shpërtheu pasi ai kaloi në Izrael, duke rrëmbyer dy ushtarë dhe duke vrarë të tjerë. Hezbollah gjuajti mijëra raketa në Izrael gjatë konfliktit, në të cilin u vranë 1200 njerëz në Liban, kryesisht civilë, dhe 158 izraelitë, shumica prej tyre ushtarë.

Fuqia ushtarake e Hezbollah u rrit pasi u vendos në Siri, një tjetër nga aleatët e Iranit në rajon, për të ndihmuar presidentin Bashar al-Assad të luftojë kryesisht rebelët myslimanë sunitë.

Hezbollah mburret me armë të përparuara, duke përfshirë raketa precize dhe dronë, dhe thotë se mund të godasë të gjitha pjesët e Izraelit. Në vitin 2021, udhëheqësi i Hezbollahut Sayyed Hassan Nasrallah tha se grupi kishte 100,000 luftëtarë. Irani i jep Hezbollah-ut armë dhe para. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se Irani i ka dhënë grupit qindra miliona dollarë në vit në vitet e fundit.

Marrëdhënie të vështira me Izraelin

Ndërsa Libani ishte thellësisht i rrënjosur në luftën e tij civile sektare midis viteve 1975 dhe 1990, Organizata për Çlirimin e Palestinës dhe Izraeli ishin në mosmarrëveshje në jug të kufirit të Libanit.

Në qershor 1982, Izraeli pushtoi Libanin jugor në ndjekje të luftëtarëve të PLO-së që e kishin bërë vendin një bazë një dekadë më parë, sipas libirt “Hezbollah: Një histori e shkurtër” nga Augustus Norton.

Hezbollah u bë i njohur ndërsa luftoi për të hequr praninë e Izraelit nga vendi derisa përfundimisht tërhoqi forcat e tij në maj 2000.

Tensionet vijuan për gjashtë vitet e ardhshme derisa lufta shpërtheu përsëri më 12 korrik 2006, pasi luftëtarët e Hezbollah-ut kaluan në Izrael dhe i zunë pritë një grupi ushtarësh, duke vrarë tre prej tyre dhe duke marrë peng dy të tjerë.

Izraeli u përgjigj me sulme ajrore dhe artilerie, përpara se të vendoste një bllokadë detare dhe ajrore. Forcat izraelite nisën gjithashtu një pushtim tokësor. Mbi 1000 njerëz, shumica civilë, mendohet se kanë vdekur në konfliktin, i cili zyrtarisht përfundoi pas 34 ditësh.

Që atëherë ka pasur luftime të nivelit të ulët pasi palët herë pas here kanë shkëmbyer zjarr përtej kufirit. Hezbollah gjithashtu u zotua për shkatërrimin e Izraelit në manifestin e tij të vitit 2009, sipas Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Roli në konfliktin Izrael-Hamas deri tani

Hezbollah ka lidhje të thella me Hamas-in, i cili kontrollon Gazën, dhe Xhihadin Islamik, një tjetër fraksion palestinez i mbështetur nga Irani.

Hezbollah tha se ishte në ‘kontakt të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e rezistencës palestineze’ më 7 tetor, ditën kur militantët e Hamas-it kryen një sulm të paprecedentë nga Gaza në Izrael, duke vrarë 1,300 njerëz. Në sulmet ajrore intensive të Izraelit në Gaza si kundërpërgjigje, më shumë se 2750 palestinezë janë vrarë.

Që nga 7 tetori, Hezbollah ka shkëmbyer zjarr ndërkufitar me Izraelin shumë herë. Hamas-i dhe Xhihadi Islamik, të cilët të dy kanë një prani në Liban, kanë kryer sulme ndaj Izraelit nga Libani për herë të parë, duke përfshirë një infiltrim ndërkufitar në Izrael më 10 tetor nga Xhihadi Islamik.

Tzachi Hanegbi, këshilltari për Sigurinë Kombëtare i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha më 14 tetor se armiqësitë dukej se ishin të përmbajtura. Hanegbi paralajmëroi Hezbollah-un që të mos ndërmarrë veprime që mund të çojnë në ‘shkatërrimin e Libanit’.

Lidhjet rajonale të grupit

Hezbollah-u ka qenë një burim frymëzimi dhe mbështetjeje për grupet e tjera të mbështetura nga Irani në të gjithë Lindjen e Mesme. Ai ka stërvitur grupe të armatosura në Irak dhe ka marrë pjesë në luftimet atje. Arabia Saudite thotë se Hezbollah-u ka luftuar gjithashtu në mbështetje të rebelëve Houthi, aleatë të Iranit në Jemen. Hezbollah e mohon këtë.

Roli i Hezbollah-ut në Liban

Ndikimi i Hezbollah-ut mbështetet nga arsenali i tij i sofistikuar dhe mbështetja e shumë shiitëve libanezë, të cilët thonë se grupi mbron Libanin nga Izraeli.

Partitë libaneze që kundërshtojnë Hezbollah-un thonë se grupi ka minuar shtetin dhe e akuzojnë atë për tërheqjen e njëanshme të ibanit në konflikte të armatosura. Hezbollah ka ministra në qeveri dhe ligjvënës në parlament. Ai hyri më shumë në politikën libaneze në vitin 2005 pasi Siria tërhoqi forcat nga Libani pas vrasjes së ish-kryeministrit Rafik al-Hariri, i cili simbolizonte ndikimin saudit në vend.

Një gjykatë e mbështetur nga OKB-ja dënoi tre anëtarë të Hezbollah-ut në mungesë për vrasjen. Hezbollah mohon çdo rol, duke e përshkruar gjykatën si një mjet të armiqve të tij. Në vitin 2008, një luftë për pushtet midis Hezbollah dhe kundërshtarëve të tij politikë libanezë, të cilët kishin mbështetjen e Perëndimit dhe Arabisë Saudite, u shndërrua në një konflikt të shkurtër. Luftëtarët e Hezbollah-ut pushtuan disa pjesë të Bejrutit pasi qeveria u zotua të ndërmarrë veprime kundër rrjetit të komunikimit ushtarak të grupit.

Në vitin 2016, politikani i krishterë aleat i Hezbollah-ut, Michel Aoun u bë president – në sistemin politik sektar të Libanit, presidenca mbahet nga një i krishterë maronit. Dy vjet më vonë, Hezbollah-u dhe aleatët e tij fituan një shumicë parlamentare. Kjo shumicë humbi në vitin 2022, por grupi vijoi të ushtronte ndikim të madh politik.

Grupi bëri fushatë kundër një gjyqtari që hetonte shpërthimin e portit të Bejrutit në vitin 2020, i cili shkatërroi pjesë të kryeqytetit, pasi ai kërkoi të merrte në pyetje aleatët e Hezbollah-ut. Përplasja shkaktoi përleshje vdekjeprurëse në Bejrut në vitin 2021.

Akuzat ndaj Hezbollah për sulme ndaj objekteve perëndimore

Zyrtarët libanezë të sigurisë dhe inteligjenca perëndimore kanë thënë se grupet që ishin të lidhura me Hezbollah-un kryen sulme vetëvrasëse ndaj ambasadave dhe objektivave perëndimore dhe rrëmbyen perëndimorë në vitet 1980. Një grup, Xhihadi Islamik, i cili nuk ka lidhje me organizatën palestineze, mendohet se drejtohej nga Imad Moughniyah, një komandant i lartë i Hezbollah-ut, i cili u vra në një makinë bombë në Siri në vitin 2008.

Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë Hezbollah-un përgjegjës për një sulm vetëvrasës që shkatërroi selinë e marinës amerikane në Bejrut në vitin 1983, duke vrarë 241 ushtarakë dhe një sulm vetëvrasës në të njëjtin vit në ambasadën e SHBA-së. Një sulm vetëvrasës goditi gjithashtu një kazermë franceze në Bejrut në vitin 1983, duke vrarë 58 parashutistë francezë.

Duke iu referuar atyre sulmeve dhe marrjes së pengjeve, udhëheqësi i Hezbollah-ut Nasrallah tha në një intervistë të vitit 2022 se ato u kryen nga grupe të vogla që nuk lidhen me Hezbollah-un.

Qëndrimi i qeverisë perëndimore ndaj grupit

Vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e cilësojnë Hezbollah-un si organizatë terroriste. Po ashtu edhe shtetet arabe të Gjirit aleatë të SHBA-së, përfshirë Arabinë Saudite. Bashkimi Evropian e klasifikon krahun ushtarak të Hezbollah-ut si grup terrorist, por jo krahun e tij politik.

Argjentina fajëson Hezbollah-un dhe Iranin për bombardimin e vitit 1994 në një qendër të komunitetit hebre në Buenos Aires, ku mbetën të vrarë 85 persona, dhe për një sulm në vitin 1992 në ambasadën izraelite në Buenos Aires, ku u vranë 29 persona. Irani dhe Hezbollah-u të dy mohojnë përgjegjësinë.

VINI RE: Ky materal është pronësi intelektuale e Reuters dhe NBC

Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani