Vendosni fjalën kyçe....

Ekzekutohet nga policia autori i atentatit me dy viktima në Belgjikë


Policia në Belgjikë ka qëlluar për vdekje një ekstremist të dyshuar nga Tunizia, të akuzuar për vrasjen e dy tifozëve suedezë të futbollit gjatë të shtënave në rrugët e Brukselit një natë më parë.

Pas orësh ndjekjeje në kryeqytetin belg, ministrja e Brendshme e Belgjikës, Annelies Verlinden, shkroi në X – që më herët njihej si Twitter, se “sulmuesi i sulmit terrorist në Bruksel është identifikuar dhe ka vdekur”.

Ajo falënderoi shërbimet e inteligjencës dhe sigurisë të Belgjikës, por edhe Zyrën e Prokurorit Publik, për “veprimet e shpejta mbrëmë dhe mëngjesin e sotëm”.

I dyshuari u qëllua nga policia në një lagje afër vendit ku ndodhën të shtënat. Autoritetet gjetën po ashtu armët me të cilën u krye krimi.

Videot amatore të publikuara në rrjetet sociale të hënën shfaqën një person me një motoçikletë, duke hapur zjarr ndaj njerëzve që po dinin nga një taksi dhe më pasi duke i ndjekur ata. Ai është filmuar edhe duke u larguar nga skena e krimit.

Por, ende ka pikëpyetje lidhur me rastin, pasi i dyshuari kishte pasur dosje në polici, për shkak se kishte qenë i radikalizuar dhe se si ishte ai në gjendje të posedonte armë për të kryer një sulm të tillë.

Jo larg vendit ku ndodhën të shtënat ndodhet stadiumi ku po zhvillohej ndeshja e futbollit midis Belgjikës dhe Suedisë. Ndeshja u pezullua pas të shtënave dhe tifozët u mbajtën brenda stadiumit pasi i dyshuari ishte ende në arrati.

Kryeministri suedez, Ulf Kristersson tha se “të gjithë treguesit thonë se ky ishte një sulm terrorist kundër Suedisë dhe qytetarëve suedeze vetëm për faktin se janë suedez”.

Sipas autoriteteve, sulmuesi kishte qëndruar kohë pas kohe në Suedi, por në këtë shtet nuk kishte dosje policore.