Vendosni fjalën kyçe....

Emmanuel Macron sot pritet me ceremoni shtetërore nga Begaj, konferencë me Ramën


Presidenti francez Emmanuel Macron do të vijojë vizitën zyrtare në Tiranë, e para në historinë mes dy shteteve.

Në orën 08.25, Macron do të pritet nga presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ku do të interpretohen himnet e dy vendeve e më pas do të kryhet kalimi para truprojës së nderit;  Më tej, dy krerët e shteteve prezantojnë ekipet e tyre respektive, ndërsa Macron do të nënshkruajë në librin e të ftuarve. Kjo ceremoni do të pasohet nga fotoja zyrtare dhe më pas do të mbahet një takim kokë më kokë mes dy presidentëve.

Më pas Macron do t’i drejtohet kryeministrisë, ku do të nënshkruajë me qeverinë shqiptare marrëveshje ekonomike dhe bashkëpunimi mes dy vendeve. Në 11:30 pritet të ketë edhe një konferencë për shtyp me Ramën.

Macron mbërriti në Tiranë një ditë më parë dhe e nisi vizitën e parë zyrtare me një ceremoni në Pallatin e Brigadave ku i ka dorëzuar shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare dekoratën më të lartë të Republikës së Francës “Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit”.