Vendosni fjalën kyçe....

Kolumbia i kërkon ambasadorit izraelit të largohet teksa grindjet diplomatike mbi luftën në Gaza thellohen – Times of Israel


Kolumbia kërkoi të hënën që ambasadori i Izraelit të largohej nga vendi i Amerikës së Jugut, duke pasur parasysh një grindje të përkeqësuar mbi komentet e presidentit Gustavo Petro për luftën me Hamas-in.

Ministri i Jashtëm Alvaro Leyva tha se i dërguari, Gali Dagan, duhet, ‘të paktën, të kërkojë falje dhe të largohet’ pasi kritikoi krahasimin e Petros për sulmet izraelite në Gaza me persekutimin nazist të hebrenjve, shkruan Times of Israel.

Leyva kritikoi në mediat sociale ‘vrazhdësinë’ e përgjigjes së Izraelit ndaj Petros, duke shtuar: “Turp”

Petro, në një postim në X, akuzoi ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant se përdor gjuhë për njerëzit e Gazës, të ngjashme me atë që ‘nazistët thanë për hebrenjtë’.

Izraeli i shpalli luftë Hamas-it pasi anëtarët e grupit terrorist sulmuan përtej kufirit të Gazës më 7 tetor, duke u përfshirë në një masakër brutale dhe të tmerrshme në të gjithë Izraelin jugor, duke vrarë më shumë se 1300 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng të paktën 200 njerëz.

Izraeli u përgjigj me një fushatë bombardimi të objektivave të Hamasit që ka vrarë të paktën 2,750 njerëz në Rripin e Gazës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Presidenti i parë majtist i Kolumbisë pohoi se ‘popujt demokratikë nuk mund të lejojnë që nazizmi të rivendoset në politikën ndërkombëtare’.

Të dielën, Izraeli, një nga ofruesit kryesorë të armëve për ushtrinë e Kolumbisë, tha se po ‘ndalonte eksportet e sigurisë’ në vendin e Amerikës së Jugut ndërsa grindjet diplomatike u përshkallëzuan.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Lior Haiat tha se ambasadorja e Kolumbisë, Margarita Manjarrez, ishte thirrur për ‘deklaratat armiqësore dhe antisemitike’ të Petro-s.

Deklaratat e presidentit u pritën me ‘habi’, tha Haiat.

Ai e akuzoi Petron për ‘shprehje të mbështetjes për mizoritë e kryera nga terroristët e Hamas-it, duke nxitur antisemitizmin, duke prekur përfaqësuesit e shtetit të Izraelit dhe duke kërcënuar paqen e komunitetit hebre në Kolumbi’.

Në përgjigje të deklaratës së Haiat, Petro tha se vendi i tij nuk e mbështet ‘gjenocidin’.

“Nëse ne duhet të pezullojmë marrëdhëniet e jashtme me Izraelin, do e bëjmë”, shtoi ai.

Forcat e armatosura të Kolumbisë, të përfshira në një konflikt prej dekadash me guerilët e majtë, paraushtarakët e djathtë dhe kartelet e drogës, përdorin armë dhe avionë të prodhuar nga Izraeli. Vendi ka një histori të marrëdhënieve të forta diplomatike dhe ushtarake me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara.

Petro është përfshirë gjithashtu në një luftë fjalësh në internet drejtpërdrejt me ambasadorin Dagan, i cili i kishte kërkuar presidentit të dënonte një ‘sulm terrorist kundër civilëve të pafajshëm’.

Në përgjigjen e tij, Petro tha: “Terrorizëm është të vrasësh fëmijë të pafajshëm, qoftë në Kolumbi apo në Palestinë.”

Më pas Dagan e ftoi Petron të vizitonte memorialin e Holokaustit në Jerusalem dhe kampin e vdekjes Aushvic-Birkenau, të cilin presidenti ia ktheu se e pa të ‘kopjuar në Gaza’.

“Asnjë demokrat në botë nuk mund të pranojë që Gaza të kthehet në një kamp përqendrimi,” shtoi Petro.

Fillimisht, Ministria e Jashtme e Kolumbisë kishte lëshuar një deklaratë për të ‘dënuar me forcë terrorizmin dhe sulmet kundër civilëve që kanë ndodhur në Izrael’ dhe duke shprehur solidaritetin me viktimat e Hamas-it.

Lidhja me atë deklaratë u hoq dhe u zëvendësua me një të re që nuk përmendte ‘terrorizëm’.