Vendosni fjalën kyçe....

Rama: S’na intereson data e anëtarësimit, duam të ndryshojmë historinë e vendit tonë


Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë idenë e të pasurit një proces kalendarik për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Rama thotë se në interes të vendit tonë nuk është një datë, madje as të jemi të privilegjuar karshi vendeve të tjera, por të ndryshohet katërcipërisht historia e vendit tonë. Shenjat e këtij ndryshimi, Rama thotë se po evidentohen në marrëveshjet që po nënshkruhen, të cilat deri më dje nuk e kishe luksin t’i imagjinoje nëse nuk do ishe pjesë e unionit.

‘Sigurisht që do duhet pak kohë që mesazhi shumë i qartë o presidenti mbrëmë dhe sot, i cili është risi për qasjen ndaj rajonit të thyejë veshin e të gjithë atyre që janë shumë të interesuar për këtë proces por që janë të mësuar ta shohin këtë proces vetëm në rrugën tradicionale. Pyetja juaj është shprehje e këtij të mësuari, të të gjithëve ne prej shumë vitesh, me idenë se ky proces është një rrugë reformash dhe vlerësimesh nga burokracia e Brukselit që përfundon me anëtarësimin. Ndërkohë që, çdo ditë e më shumë në një botë që komplikohet del në pah domosdoshmëria e komplementarizimit të kësaj rruge tradicionale me një rrugë paralele ku vendeve u jepen më shumë hapësira ku bashkimi i Evropës të bëhet praktik e i prekshëm në të dyja palët. Nuk ka korsi preferenciale në këtë proces. Ne duhet të vazhdojmë në frymën e atij amaneti që nga koha e Skënderbeut, te Rilindasit, te njerëzit që në shekuj e kanë dashur Evropën si tyren, edhe kur s’ekzistonte BE. Uroj që ky koncept të kthehet në mekanizëm që na mundëson që ajo çka dje në samit nisi si rrugë paralele zhvillimi të zgjerohet.

 Plani i ri i rritjes është guri i parë. Për herë të parë do të përfitojnë më shumë financime dhe do të përfitojnë akses në tregun e përbashkët ekonomik. Shqipërisë s’i intereson një datë, e para se do të mbetej një takim i parealizuar. Ne nuk e bëjmë këtë proces për të bindur vendet e BE, ne e bëjmë për të ndryshuar përfundimisht historinë e vendit tonë dhe për ta bërë të pakthyeshme evropianizimin e Ballkanit që t’u shpëtojë tundimeve të të tjerëve. Bashkimi i Evropës duhet të ndodhë.’- tha Rama.