Izraeli njoftoi sot se do të lejojë që ndihma humanitare të hyjë në Rripin e Gazës nga Egjipti, ndërsa vendosi një rrethim të ngushtë në enklavën palestineze që është goditur që nga një sulm i përgjakshëm nga Hamasi më 7 tetor, shkruan AP.
“Izraeli nuk do të bllokojë ndihmën humanitare nga Egjipti kur bëhet fjalë për ushqim, ujë dhe ilaçe për civilët në pjesën jugore të Rripit të Gazës”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu. “Çdo furnizim që arrin Hamasin do të neutralizohet.”
“Një zhvillim pozitiv, të cilin ne e kemi kërkuar që nga fillimi i konfliktit,” tha sot ministri i Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry në një intervistë me rrjetin televiziv Saudit Al-Arabiya.
Megjithatë, transferimi i ndihmës “kërkon organizim”, theksoi Soukry. Ai i shpjegoi rrjetit Al-Ghad me bazë në Kajro se rruga që lejonte transportin e ndihmave midis Gazës dhe kalimit Rafah u shkatërrua pas bombardimeve izraelite në anën palestineze të kufirit.
Në Sinai të Egjiptit, kamionë me ndihma janë bllokuar prej ditësh në zonën përreth terminalit, i cili është ende i mbyllur, sipas dëshmitarëve okularë.
Dorëzimi i ndihmave humanitare në Gaza, pasi të kalojë kufirin midis Egjiptit dhe enklavës palestineze, duhet të jetë “sistematik”, në rendin e 100 kamionëve në ditë, dhe i sigurt, tha sot për CNN Martin Griffiths, Koordinatori Humanitar i OKB-së.
Izraeli po bombardon enklavën e vogël palestineze prej 2.4 milionë banorësh në përgatitje për një sulm të mundshëm tokësor.