Vendosni fjalën kyçe....

Masterplan për ndriçimin urban, projekti i eficiencës në 5 bashki për të reduktuar faturat


Të paktën pesë bashki në vend do të jenë pjesë e një masterplani që synon të vlerësojë ndriçimin publik në rrugë dhe alternativat për të reduktuar faturat e “kripura” që paguajnë bashkitë. Agjencia e Eficiencës së Energjisë(AEE) ka kërkuar gjetjen e një konsulenti që do të hartojë këtë dokument për klasifikimin e rrugëve në zonat urbane sipas klasifikimit ndërkombëtar CIE 115: 2010 si realizimi i një auditimi paraprak për të  përcaktuar situatën e çdo segmenti rrugor në qytetet e zgjedhura.

“Ky studim do të jetë një fazë e parë për të përcaktuar në të ardhmen kriteret e projektimit të ndriçimit rrugor dhe urban në qytetet Elbasan, Korçë, Shkodër, Pogradec dhe Kavajë” thuhet në dokument.

Agjencia nënvizon se zhvillimet teknologjike mundësojnë që përmes disa masave të zvogëlohet fatura totale e energjisë elektrike që shkon për ndriçimin urban dhe që zë një peshë të konsiderueshme në faturën totale mujorë të bashkive. Për këtë AEE i referohet gjetjeve të një studimi më të hershëm që përfshin zonën Tiranë-Durrës.

“Në një studim mbi potencialet e kursimit të energjisë elektrike në sistemet e ndriçimit rrugor me ndriçues LED në bashkitë Tiranë, Durrës dhe Shkodër, është arritur në konkluzionin se shpenzimet në shfrytëzim dhe mirëmbajtje mund të zvogëlohen 20% deri në 50%, krahasuar me ekzistueset” vlerëson dokumenti.

I njëjti nënvizon se që procesi i projektimit dhe planifikimit i cili do të realizohet në një fazë tjetër nga bashkitë përkatëse të shfrytëzojë të gjitha mundësitë e eficiencës së energjisë është e nevojshme klasifikimi i rrugëve në zonat urbane të bashkive si dhe një auditim paraprak për të evidentuar gjendjen ekzistuese dhe mundësitë e përmirësimit të ndriçimit.

Një tjetër studim i financuar nga GIZ mbi potencialet për rritjen e efiçencës së energjisë në ndriçimin publik, rezulton se aktualisht konsumi i energjisë elektrike për ndriçimin publik, zë rreth 25-40% të shpenzimeve për energjinë elektrike të konsumuar në nivel bashkie, ose rreth 5-10% të buxhetit total te saj.

“Pothuaj të gjitha bashkitë në rang vendi janë në vështirësi serioze për të paguar faturën e lartë të energjisë elektrike e shpenzimet e mirëmbajtjes dhe ndodhen para një nevoje urgjente për të vepruar në drejtim të uljes së konsumit të energjisë elektrike dhe shpenzimeve të mirëmbajtjes nëpërmjet modernizimit të sistemit të ndriçimit rrugor. Kjo për faktin se në shumicën e rasteve, sistemet e tyre të ndriçimit rrugor janë mjaft të vjetra, 15-20 vjeçare, joeficiente dhe harxhojnë shumë energji elektrike” thuhet në dokument.

Masterplani që do të hartohet nga konsulenti sëbashku me gjetjet do të jetë dokumenti kyç që do t’i paraqitet institucioneve për të kërkuar mbështetje financiare të projektit të ndriçimit rrugor në kuadër të eficiencës.

“Raporti i detajuar i auditimit paraprak (vlerësimi i gjendjes ekzistuese dhe propozimet për mundësitë e ndërhyrjes për realizimin e ndriçimit efiçent) është dokumenti më i rëndësishëm dhe që pritet të jetë një vlerësim gjithëpërfshirës i situatës ekzistuese të ndriçimit në rrugët e qyteteve të përzgjedhura si dhe sugjerimet e duhura për projektin e ndriçimit rrugor me EE. Ky është dokumenti kryesor që do të kërkohet nga çdo institucion financiar për të kredituar realizimin e investimeve të projektit” nënvizon AEE./ MONITOR