Vendosni fjalën kyçe....

Për herë të parë një përfaqësues i Shqipërisë, Etlida Gjonaj zgjidhet Raportuese e Përgjithshme për dhunën ndaj grave në Këshillin e Europës


Për herë të parë një përfaqësues i Shqipërisë duke përfshirë edhe vendet e rajonit në Këshillin e Evropës propozohet dhe votohet në pozicionin e Raportueses së Përgjithshme për dhunën ndaj grave, ku është zgjedhur deputetja socialiste dhe ish-ministrja e Drejtësisë Etlida Gjonaj.

Gjonaj është zgjedhur me votim unanim si Raportuese e Përgjithshme për dhunën ndaj grave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE)

Sipas njoftimit të publikuar nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës, pozicioni i lartë që do të mbajë Gjonaj ka në fokusin e saj mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave dhe veçanërisht për mbrojtjen e dhunës ndaj tyre.

Gjonaj do të drejtojë politikisht si përfaqësuese e Këshillit të Europës edhe Rrjetin Parlamentar të Asamblesë për luftën e dhunës ndaj grave ku bëjnë pjesë deputetet e të gjitha shteteve anëtare.

Në intervistë të realizuar nga Këshilli i Europës, znj Gjonaj ka prezantuar edhe prioritetet e mandatit të saj si Raportuese e përgjithshme të cilat përfshijnë tre aspekte:

1.Fuqizimi i grave dhe i vajzave në të gjitha fushat e jetës si dhe advokimi për të drejtat e tyre

2.Mbështetja dhe mbrojtja e avokateve të të drejtave të grave viktima të dhunës me bazë gjinore si dhe grave në sistemin e drejtësisë

3.Garantimi I aksesit në drejtësi të të gjitha grave dhe vajzave subjekt të dhunës me bazë gjinore dhe garantimi i mekanizmit për kompensimin e viktimave, me fokus viktimat e dhunës në luftën në Ukrainë dhe në vendet në konflikt.

Këshilli i Europës ka mbajtur qëndrime të forta për mbrojtjen e të drejtave të grave dhe të viktimave të dhunës me bazë gjinore, e fokusuar kohët e fundit edhe në rastet e viktimave të dhunës në vendet që gjenden në luftë, kriza dhe konflikt.

Deputetja Gjonaj si Raportuese e Përgjithshme do të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit të promovimit dhe fuqizimit të të drejtave të grave për Këshillin e Europës dhe në ndjekjen e zhvillimeve në 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës mbi fenomenin e dhunës ndaj grave.

Ajo do të jetë përfaqësuesja e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës për dhunën ndaj grave dhe do të bashkërendojë punën në bashkëpunim të ngushtë edhe me institucionet e shteteve anëtare, me organizmat e tjerë ndërkombëtare jashtë Këshillit të Europës, si Kombet e Bashkuara, Bashkimin Europian, OSBE, Organizmat për objektivat për zhvillimin e qëndrueshëm si dhe organizatat e shoqërisë civile të shteteve anëtare që punojnë në fushën e të drejtave të grave.

Znj. Gjonaj në këtë rol do të promovojë dhe do të monitorojë në mënyrë aktive, ratifikimin dhe zbatimin e Konventës së Stambollit të Këshillit të Europës për luftën ndaj dhunës së grave për të 46 shtetet anëtare të Këshillit të Europës.

 

 

Intervista e plotë e Etlida Gjonajt: