Vendosni fjalën kyçe....

Shtëpia e Bardhë mendon paketën e ndihmës 100 miliardë dollarëshe për Izraelin, Ukrainën e Tajvanin


Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po konsiderojnë t’i kërkojnë Kongresit një paketë ndihme që synon kryesisht mbështetjen e Ukrainës dhe Izraelit që mund të kushtojë deri në 100 miliardë dollarë, megjithëse ky vlerësim paraprak mund të ndryshojë pasi planifikimi mbetet ende ne diskutim, sipas katër personave të informuar me çështjen.

Në biseda me stafin e Kongresit, ndihmësit e presidentit Biden kanë diskutuar për të propozuar sa më shpejt këtë javë një paketë të madhe të politikës së jashtme në mes të krizave të shumta ndërkombëtare, duke përfshirë luftën midis Hamasit dhe Izraelit.

Legjislacioni pritet gjithashtu të përfshijë fonde të konsiderueshme për të forcuar organet e zbatimin e emigracionit të SHBA-së në kufirin jugor me Meksikën dhe mund të përfshijë fonde për Tajvanin për të penguar agresionin nga Kina, thanë njerëzit, të cilët folën në kushte anonimiteti. Paratë që mund të dërgohen në përgjigje të fatkeqësive natyrore të fundit në SHBA, duke përfshirë zjarret në Maui dhe uragane të ndryshme, mund të futen gjithashtu në legjislacion.

Ndihmësit theksuan se planet ishin shumë të pasigurta dhe objekt ndryshimi. Presidenti Biden më parë propozoi rreth 20.4 miliardë dollarë fonde për Ukrainën, por Kongresi bllokoi çdo para shtesë për Ukrainën kur zgjati fondet e qeverisë deri në nëntor.

“Do jetë një deklaratë e fortë për armiqtë tanë dhe për miqtë tanë,” tha senatori republikan Lindsey O. Graham për paketën e propozuar të ndihmës.

Një person, duke folur në kushte anonimiteti teksa komentonte bisedat private, tha se kërkesa do mbulonte një vit të plotë fiskal për krizat që synohet të trajtojë.

Udhëheqësit demokratë thanë se presin ta marrin propozimin në fund të kësaj jave.

“Ne synojmë të marrim paketën në fund të kësaj jave dhe ajo do të përfshijë ndihmën ushtarake që i nevojitet Izraelit, ndihmën diplomatike dhe të inteligjencës që i nevojitet Izraelit, si dhe ndihmën humanitare për të minimizuar humbjen e jetëve të pafajshme njerëzore, të palestinezëve dhe izraelitëve. ”, u tha gazetarëve udhëheqësi i shumicës në Senat, demokrati Charles E. Schumer.

Përpjekja vjen ndërsa republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve përpiqen të zgjedhin një kryetar të ri, gjë që mund të ndërlikojë përpjekjet për të miratuar çdo projektligj me shpejtësi. Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve janë bërë gjithnjë e më të kujdesshëm ndaj sigurimit të fondeve të taksapaguesve për  Kievin, por mund të kenë më shumë gjasa ta bëjnë këtë nëse një kërkesë përfshin gjithashtu para për Izraelin.

Bloomberg raportoi fillimisht se zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë po shqyrtonin një kërkesë prej 100 miliardë dollarësh në paketën e ndihmës. Ishte e paqartë se sa para do përfshiheshin për secilin vend.

Një zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë nuk pranoi të komentojë.