Vendosni fjalën kyçe....

Balla: Kemi zgjidhur pagesën e detyrimeve të prapambetura për efektivët, çdo orë shtesë paguhet menjëherë


Ministri i Brendshëm Balla tha sot se qeveria do u paguajë efektivëve të gjitha detyrimet e prapambetura e orët e punës jashtë orarit.

Në një takim me drejtuesit dhe policët e Komisariatit të Kavajës, ai tha se masa vjen pas kalimit nga qeveria të një akti normative ndërsa shtoi se në vijim çdo orë jashtë orarit të punës do paguhet menjëherë.

“Detyra e Ministrit të Brendshëm lidhet drejtpërdrejt me trajtimin e duhur financiar të punonjësve të policisë. Kemi kaluar në qeveri një akt normativ ku i japim zgjidhje të gjitha pagesave apo detyrimeve të prapambetura me orët jashtë orarit, i cili hyn në fuqi menjëherë. Në ditët në vijim, për çdo orë jashtë orarit të punës do të kryhet pagesa dhe do ta ndjek personalisht.” – tha Balla.

Ministri theksoi se është i vetëdijshëm për pagën e ulët të punonjësve të policisë krahasuar me nevojat e tyre por me rritjen e parashikuar në buxhetin e vitit 2024 do ketë një hap të madh me pagat e tanishme.

Gjatë takimit Balla shpalosi edhe idenë e ngritjes së Forcës Kombëtare të Sigurisë  që do u vijë në ndihmë komisariateve sidomos në zonat bregdetare që kanë ngarkeë shtesë gjatë sezonit të verës.

“Unë e di që paga aktuale e punonjësve të policisë është shumë e ulët krahasuar me nevojat që ka çdo familje e një punonjësi policie. Me buxhetin e shtetit 2024, do të kemi një rritje, e cila ndoshta nuk është aq sa duhet, por është një hap i madh krahasuar me stadin aktual. Ky komisariat mbulon një vijë të rëndësishme  bregdetare dhe me një numër shumë të madh hotelesh dhe një numër shumë të madh turistësh që vizitojnë gjithë bregdetin së bashku me pjesën që mbulon në tërësi Drejtoria e Durrësit. Duhet të jemi të përgatitur për vitin e ardhshëm, i cili do të jetë një vit me një numër edhe më të madh se ky që kishim. Prandaj ne kemi menduar të krijojmë edhe një Forcë Kombëtare të Sigurisë, e cila të mbështesë komisariatet.” – tha Balla.