Deputetët e opozitës kanë dalë nga ambientet e Kuvendit, ndërsa Gazment Bardhi ka deklaruar se është vendosur që aksioni opozitar të vazhdohet dhe se ata nuk e njohin vendimin e përjashtimit për 23 prej tyre.
Bardhi shprehet se urdhri për përjashtimin e tyre është dhënë nga Edi Rama dhe është i pavlefshëm, ndërsa bëri thirrje që mazhoranca dhe grupi i PS t’i kthehen arsyes.
“Pas diskutimeve kemi vendosur të vijojmë aksionin tonë opozitar për të kthyer parlamentin në zbatimin e rregullave. Kemi konstatuar pavlefshmërinë e urdhrit të Edi Ramës për të përjashtuar nga veprimtaria parlamentare të deputetëve.
U kërkojmë këtyre që firmosin të mësojnë edhe matematikën e klasës së parë, pasi thonë se na përjashtuan për 10 ditë, kur në fakt afati del 11 ditë. Kjo tregon sa të verbër janë kur firmosin.
Mazhoranca dhe grupi i PS t’i kthehen arsyes dhe zbatimit të kushtetutës. Patjetër që do vijmë në seancë dhe do marrim pjesë në çdo mbledhje komisionesh. Çdo kërkesë e jona është e drejtë. Rama nuk na do në parlament, por ne do jemi në parlament”, u shpreh ai.