Vendosni fjalën kyçe....

Goditet grupi i trafikut të drogës “Roll Royce” në Peru, arratiset drejtuesi “Baba” që furnizonte grupet shqiptare


Policia peruane në një operacion të gjerë, ka çmontuar organizatën kriminale të njohur si “Roll Royce”. Operacioni i quajtur Protokolli 2023 u krye në tre pika njëkohësisht, ku u sekuestruan 114 pako me kokainë, me vlerë mbi 10 milionë e 400 mijë dollarë amerikanë.

Drejtuesi i organizatës, i identifikuar si Nicola Berishaj, alias “Baba”, është një shtetas malazez, i cili dyshohet se vepron si emisar i trafikantëve shqiptarë të drogës. Autoritetet peruane e cilësojnë mafian shqiptare është një nga më të fuqishmet në Evropën Juglindore. Sipas agjentëve të antidrogës, organizata kriminale ishte gati të eksportonte drogën përmes portit Chalaco, përcjellin mediat peruane.

Mes të arrestuarve është edhe Segundo Fernando Sangama Flores, i njohur ndryshe si “Chuy”, i cili ishte përgjegjës për ruajtjen e kokainës. Monitorimi dhe përgjimi ligjor i kryer prej disa muajsh i lejoi policisë të lokalizonte një shtëpi në Monte Rosa, në San Martín de Porres, ku pakot u gjetën të kamufluara në një furgon të vogël. Njëkohësisht, në zonën ekskluzive të El Sol de La Molina, Juan Reina Sánchez, alias Caballo, u arrestua në posedim të mijëra soleve, eurove dhe dollarëve. Sipas Policisë, Reina Sánchez ishte përgjegjëse për koordinimin me zonën e prodhimit në Huallaga dhe pellgun e lumit Palcazu.

Gjatë operacionit u sekuestruan 1290 euro, 3587 dollarë dhe më shumë se 32 mijë sole peruane në 100 kartëmonedha, përveç bizhuterive dhe dhjetëra karta me parapagesë që përdorte organizata për të komunikuar pa u zbuluar.

Nga hetimi u zbulua gjithashtu se Nicola Berishaj, alias “Baba”, kamuflohej si pastor i një kishe ungjillore për të mos ngjallur dyshime; Mirëpo, një ditë para ndërhyrjes ai është parë duke hyrë në një kafene të njohur të zonës.

Përveç kësaj, policia sekuestroi makinën që organizata përdorte në zonën Chaclacayo dhe në qendrën tregtare Mega Plaza, në zonën veriore të Limas. Fatkeqësisht, disa orë para operacionit, Nicola Berishaj ka arritur të largohet nga vendi dhe nuk dihet vendndodhja e tij.

Sipas hetimeve, alias “Baba” kishte kryer tashmë të paktën një dërgesë droge drejt Europës së bashku me bashkëpunëtorët e tij peruan. Autoritetet vijojnë kërkimet për Berishën dhe një person kyç në organizatë, i njohur si “Doktori”, i cili identifikohet si koordinatori kryesor për paketimin e kontejnerëve në portin e parë. Ky individ është identifikuar si Santiago Jiménez Velásquez, një njeri i besuar i kreut të grupit.