Vendosni fjalën kyçe....

Ish-avokatja e Trump deklarohet fajtore për akuzat e çështjes së ndërhyrjes në zgjedhjet e Xhorxhias


Ish-avokatja e Donald Trump, Sidney Powell, është deklaruar fajtore për gjashtë akuza në çështjen e ndërhyrjes në zgjedhjet e Xhorxhias.

Powell, e cila bëri pretendime të rreme për rezultatet e zgjedhjeve të 2020, arriti një marrëveshje me prokurorët dhe tani do të dëshmojë në gjyq.

Në këtë rast janë 18 të bashkëpandehur, përfshirë edhe ish-presidentin.

Ajo u përball me akuzat e komplotit për të kryer ndërhyrje të qëllimshme në detyrat zgjedhore.

Marrëveshja kërkon gjithashtu që ajo të shkruajë një letër faljeje për qytetarët e Xhorxhias.

Ajo është dënuar me gjashtë vjet burgim me kusht dhe duhet të paguajë një gjobë dhe të dëshmojë në gjyqet e ardhshme.

Powell e pranoi fajësinë në një sallë gjyqi në qendër të qytetit të Atlantës të enjten, një ditë para se të fillonte gjyqi i saj.

Prokurorët e kanë akuzuar atë se ishte në mesin e një grupi zyrtarësh dhe mbështetësish të Trump që shkelën sistemin zgjedhor në Coffee County rurale, Xhorxhia, në janar 2021, me qëllimin për të provuar se zgjedhjet ishin të manipuluara kundër zotit Trump.

Trump është deklaruar i pafajshëm në rastin e tij të mashtrimit zgjedhor në Xhorxhia. Në total, zoti Trump përballet me 13 akuza për krime – duke përfshirë shantazhin – për presionin e dyshuar të zyrtarëve të Xhorxhias për të ndryshuar rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 në atë shtet.

Ai vazhdimisht ka mohuar çdo keqbërje dhe e ka përshkruar rastin si të motivuar politikisht.

Powell është personi i dytë në mesin e të pandehurve që u deklarua fajtor në çështjen e ndërhyrjes në zgjedhjet e Xhorxhias.

Scott Hall arriti një marrëveshje me prokurorët për pranimin e fajësisë në fund të shtatorit.

Ish vëzhguesi republikan i sondazheve akuzohet gjithashtu për përpjekje për të fituar akses në pajisjet e ndjeshme zgjedhore në Coffee County, Xhorxhia.

Si pjesë e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ai u dënua me pesë vjet lirim me kusht. Atij i kërkohet gjithashtu të dëshmojë kundër të tjerëve në gjyqet e ardhshme.