Një tjetër projekt fotovoltaik është miratuar këtë javë në mbledhjen e fundit të qeverisë për një kapacitet të instaluar 10MW.
Centrali referuar vendimit nuk përfiton nga masat mbështetëse dhe është parashikuar që të ndërtohet në zonën e Jagodinës, Bashkia e Elbasanit, nga bashkimi i përkohshëm i shoqërive “G.A.C”, sh.p.k., dhe “LA PORTA DELLA LUCE”, sh.p.k.
Vendimi specifikohen që afati i pritshëm i vënies në punë dhe pajisja me leje ndërtimi që përfshijnë kohën për ndërtimin, pajisjen me lejen e ndërtimit dhe vënien në operim të parkut fotovoltaik do të jetë brenda 36 muajsh nga ky vendim.
Centrali do të jetë në operim për të paktën 49 vite.
Referuar vendimit Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë të drejtë të ushtrojnë mbikëqyrje të përgjithshme me afate 3-mujore gjatë realizimit, vënies në punë dhe operimit, me synim që të verifikojnë se ecuria e punimeve, cilësia, konformiteti dhe operimi janë në përputhje me programin e përgjithshëm të realizimit dhe dokumentacionin e projektit;
Kompanitë investitore ndërkohë do të ketë një sërë detyrimesh për të plotësuar të tilla si paraqitja periodike e informacionit për ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik pranë ministrisë dhe AKBN.
Po kështu të respektojë kushtet e cituara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, lëshuar nga institucionet përgjegjëse kombëtare.
Së treti të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, përpara nënshkrimit të kontratës,
Centrali duhet t’i japë falas në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë sasinë e energjisë elektrike, në masën 2 (dy) % të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.
Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma duhet të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.
Rritet numri i projekteve, gati prodhimi në Karavasta
Interesi për energjinë fotovolatike po njeh rritje të vazhdueshme me projekte që ndodhen në hallka të ndryshme institucionale nga aplikimet fillestare tek ato të vendimeve të thelluara apo licencimit në Entin Rregullator të Energjisë.
Të dhënat zyrtare tregojnë se ERE që është edhe autoriteti që bën licencimet e subjekteve ka dhënë në total 36 të tilla për fotovolatikët dhe kapaciteti i instaluar arriti 350 MW deri në fund të gushtit.
Projekti më i madh i energjisë diellore në vend që tashmë është edhe i licencuar nga ERE, ai për Karavastanë ka përfunduar.
Kompania Voltalia njoftoi në 17 tetor se tashmë ka përfunduar ndërtimi i plotë i impiantit me kapacitet të instaluar 140 MW dhe të paktën për prodhimin që do të gjenerohet nga gjysma e këtij impianti shteti do të ketë të drejtën e blerjes për një çmim prej 24.89 euro/MWH.
Ndërkohë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka të hapur një procedurë për dhënien e një kapaciteti 1 GW për projekte fotovolatikë në një ankand me tre raunde ku propozimet ë para kanë si afat paraqitjeje tetorin.
Procedura e njoftuar më herët parashikon që raundi i parë për këto projekte të jetë për një kapacitet 300MW.
Çdo zhvillues duhet të paraqesë një propozim me një maksimum prej 100 MW dhe çdo ofertues i suksesshëm do të nënshkruajë një marrëveshje mbështetjeje prej 15 vitesh me qeverinë./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor