Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja e shtyn privatisht Izraelin që të mos nisë luftë me Hezbollah-un – Times of Israel


Administrata Biden i ka kërkuar privatisht Izraelit që të mos nisë një fushatë ushtarake kundër Hezbollah-ut, pasi Uashingtoni po punon që lufta e tanishme të mos përhapet përtej Gazës, thanë për The Times of Israel të mërkurën dy zyrtarë të njohur me këtë çështje.

Shtetet e Bashkuara e pranojnë se Izraeli duhet t’i përgjigjet shënjestrimit të shtuar të kufirit të tij verior nga Hezbollahu që nga sulmi tronditës i Hamas-it më 7 tetor, sqaruan zyrtarët.

Por sulmet e përsëritura nga grupi terrorist libanez dhe fakti që Izraeli dështoi të parashikonte sulmin brutal të Hamas-it nga Gaza, kanë çuar në shtimin e diskutimeve nëse Izraeli duhet të jetë ai që do nisë një betejë kundër Hezbollah-ut për të mbajtur epërsinë.

Një bisedë e tillë ka qenë shkak shqetësimi për SHBA-në, që ka paralajmëruar privatisht dhe publikisht Hezbollah-un dhe Iranin që të mos hapin një luftë në frontin verior të Izraelit, thanë zyrtarët.

SHBA-ja e ka paralajmëruar Izraelin që të jetë i kujdesshëm në përgjigjet e tij ushtarake ndaj zjarrit të Hezbollah-ut, duke shpjeguar se një gabim i IDF-së në Liban mund të ndezë një luftë shumë më të madhe, shtuan zyrtarët.

Zyrtarët e Biden i kanë treguar Izraelit ditët e fundit se nëse Hezbollah-u fillon një luftë kundër Izraelit, ushtria amerikane do t’i bashkohet IDF-së në luftën kundër grupit terrorist, thanë zyrtarët.

Duke folur me gazetarët të mërkurën pas vizitës së tij të shkurtër të solidaritetit në Izrael, Presidenti i SHBA-së Joe Biden pohoi se ‘nuk ishte thënë kurrë’ se SHBA do i bashkohej luftës në rast të një fronti me Hezbollah-un.

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, shtoi për gazetarët se nuk kishte ‘qëllim që të ketë ushtarë amerikanë në terren në luftime’, por se SHBA-ja ka ‘interesat e saj të sigurisë kombëtare’ dhe ‘ne do i mbrojmë ato nëse do na nevojitet’.

Kirby tha se një grup sulmues aeroplanmbajtësesh të dërguara javën e kaluar nga Pentagoni në Mesdheun lindor duhej të ‘frenonin’ kundërshtarët izraelitë dhe amerikanë në rajon ‘nga ndërmarrja e veprimeve’.

“Është një forcë ushtarake e mjaftueshme dhe e besueshme,” tha Kirby, duke shtuar nëse Biden ‘vendos që ajo forcë duhet të përdoret për të mbrojtur interesat tona, ne do e bëjmë këtë’.

Hezbollah ka gjuajtur dhjetëra raketa dhe mortaja të drejtuara kundër tankeve në pozicionet ushtarake izraelite dhe qytetet izraelite që nga sulmi i Hamas-it të 7 tetorit, duke dërguar gjithashtu njerëz të armatosur për të depërtuar në Izrael.

Disa dronë janë kapur gjithashtu mbi Izraelin verior. Të paktën pesë ushtarë izraelitë, 13 terroristë të Hezbollah-ut dhe 5 palestinezë nga grupe të tjera terroriste janë vrarë në këto shkëmbime.

Një civil izraelit u vra në një sulm të Hezbollah-ut të dielën, dhe dy civilë libanezë dhe një gazetar u raportuan gjithashtu të vrarë nga bombardimet izraelite.

Më 10 tetor, Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin urdhëroi grupin sulmues të aeroplanmbajtëses ‘Ford’ të lundronte në Mesdheun Lindor për të qenë gati për të ndihmuar Izraelin.

‘USS Gerald R. Ford’, aeroplanmbajtësja më e re dhe më e përparuar e Marinës dhe rreth 5000 marinarët e saj dhe kuverta e avionëve luftarakë do shoqërohen nga kryqëzorë dhe shkatërrues në një shfaqje të forcës që synohet të jetë gati për t’iu përgjigjur çdo gjëje, nga ndoshta ndalimin e armëve shtesë që të mbërrijnë te Hamas-i dhe kryerjen e vëzhgimit.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Mbrojtjes tha në atë kohë se shqetësimet për hapjen e një fronti të dytë të dhunës kundër Izraelit nga Hezbollah-u ishte arsyeja kryesore për lëvizjen e anijeve në Mesdheun Lindor.

Zyrtari tha se SHBA ishte thellësisht i shqetësuar se Hezbollah-u dhe grupet e tjera të mbështetura nga Irani do merrnin vendimin e gabuar për të tentuar të ‘grumbullojnë’ dhe zgjerojnë luftën.

Grupi sulmues i transportuesve me bazë në Norfolk, Virxhinia ishte tashmë në Mesdhe. Në fillim të këtij muaji, ai kreu stërvitje detare me Italinë në detin Jon. Transportuesi është në vendosjen e tij të parë të plotë.

SHBA-ja ka dërguar gjithashtu municione dhe pajisje ushtarake në Izrael pas sulmit të 7 tetorit, në të cilën rreth 2,500 terroristë të Hamas-it shpërthyen pengesën e sigurisë së Izraelit nëpërmjet tokës, detit dhe ajrit, duke vrarë mbi 1,400 njerëz dhe duke kapur 200-250 pengje nën mbulesën e një përmbytjeje mijëra raketash të lëshuara në qytetet izraelite.

Shumica dërrmuese e të vrarëve ndërsa personat e armatosur pushtuan komunitetet kufitare ishin civilë. Biden e ka quajtur sulmin dhe vrasjet që pasuan si ‘masakrën më të keqe të popullit hebre që nga Holokausti’.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Times of Israel

Përgatiti për  Hashtag.al, Klodian Manjani