Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është paraqitur sot në SPAK, ku veç hetimeve për tërmetin, është nën akuzë edhe për korrupsion në zgjedhje.
Me shumë mundësi, bëjnë me dije burimet e gazetares Anila Hoxhës, sot në Prokurorinë e Posaçme Anti Korrupsion, kryebashkiakut i është komunikuar akuza dhe hetimi ka lidhje me fakte të bëra publike nga një qytetare ku SPAK-u disponon materialin e kërcënimit të qytetares gjatë zgjedhjeve lokale në Rrogozhinë.
Për këtë akuzë, Memolla po hetohet nga prokurori Edvin Kondili.
I pyetur nga gazetarja Anila Hoxha, Memolla nuk dha asnjë koment për çfarë u pyet në SPAK.
Top Channel raportoi ekskluzivisht dy ditë më parë se kryebashkiaku i Rrogozhinës është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme Anti Korrupsion. Anila Hoxha tha se Memolla po hetohet pas denoncimeve se ka abuzuar me tenderat e pastrimit të qytetit, por edhe se kanë firmosur dëmshpërblime mbi dëmtimet e banesave nga tërmeti.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Top Channel