Vendosni fjalën kyçe....

Egjipti vazhdon të ketë hezitime për hapjen e kufirit me Rripin e Gazës


Egjipti deri tani nuk ka pranuar të hapë kufirin e tij për palestinezët që po përpiqen t’u shpëtojnë bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës, pas sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit në jug të Izraelit. Egjipti druhet nga mundësia e kalimit të mijëra refugjatëve në anën e tij të kufirit.

Mijëra tonë ndihma po presin në anën egjiptiane të kufirit me Rripin e Gazës, ndërsa po vështirësohet gjendja humanitare e palestinezëve atje.

Në anën tjetër të vendkalimit, në qytetin Rafah dhe në të gjithë Rripin e Gazës, civilët po vuajnë pasojat e sulmit të Hamasit në Izrael dhe ato të përgjigjes së ushtrisë izraelite.

Egjipti nuk po lejon kalimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës në gadishullin e Sinait.

“Transferimi i palestinezëve nga Rripi i Gazës në Sinai thjeshtë nënkupton një transferim të rezistencës, të luftës nga Rripi i Gazës në Sinai, duke e shndërruar pastaj atë në një bazë të operacioneve kundër Izraelit”, thotë Presidenti i Egjiptit, Abdel Fattah el-Sissi.

Qindra mijëra palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre në konfliktet e kaluara me Izraelin. Shumë prej tyre nuk janë lejuar të kthehen në zonat nga kanë ikur. Egjipti, dhe shumica vendeve arabe, janë të shqetësuar nga pasojat e largimit të palestinezëve nga Rripi i Gazës, thotë analisti Chris Doyle nga Këshilli Arabo-Britanik i Mirëkuptimit.

“Egjipti nuk dëshiron të pranojë qindra mijëra civilë palestinezë në Sinai, në kampe refugjatësh me çadra, me një axhendë shumë të qartë, dhe që kjo të shndërrohet në një realitet të përhershëm. Palestinezët dhe egjiptianët janë të vetëdijshëm për këtë dhe janë të frikësuar nga mundësia e përsëritjes së asaj që ndodhi në vitet 1948 dhe 1967, kur mijëra njerëz u larguan nga territoret palestineze. Ata po flasin për një “Nakba” tjetër, për katastrofë tjetër, të ngjashme me atë që ndodhi dekada më parë”, thotë ai.

Ashtu si në shumë qytete të tjera në botën arabe, edhe në qytetet e Egjiptit janë mbajtur protesta kundër bombardimit të Rripit të Gazës nga Izraeli.

“Po shohim zemërim të madh në Egjipt për atë që po ndodh tani. Kështu që, ata kanë frikë të duken se po mbështesin veprimet e Izraelit, megjithëse në bisedat e tyre private ata e kritikojnë edhe Hamasin”, thotë analisti Chris Doyle.

Presidenti i Egjiptit mori pushtetin përmes një puçi ushtarak në vitin 2013, duke rrëzuar qeverinë e zgjedhur, të udhëhequr nga Vëllazëria Myslimane.

“Nuk duhet ta harrojmë se Hamasi është një degë e Vëllazërisë Myslimane. Me rritjen e numrit të civilëve palestinezë të vrarë, ka të ngjarë të rritet edhe numri i protestave në rrugët e qyteteve të Egjiptit. Kjo mund të tensionojë situatën politike në vend. Për këtë arsye egjiptianët janë të interesuar për një armëpushim të shpejtë”, thotë Yossi Mekelberg nga organizata Chatham House.

Egjipti ka kanale komunikimi me Hamasin dhe mund të zhvillojë bisedime edhe me Izraelin.

“Nga pikëpamja strategjike, ka patur një kuptim të mirë mes Izraelit dhe Egjiptit në 10-11 vitet e fundit. Egjipti është një fqinj i përshtatshëm për Izraelin. Qeverisja e Egjiptit nga Vëllazëria Myslimane nuk do të ishte një alternativë e mirë për Izraelin”, thotë Yossi Mekelberg nga organizata Chatham House.

Analistët thonë se tani Izraeli nuk duket se është i gatshëm për një ndërmjetësim nga një fuqi rajonale për dialogun me palestinezët sepse po përgatitet të fillojë një operacion për çrrënjosjen e Hamasit nga Rripi i Gazës.