Të paktën nëntë projekte të lidhur kryesisht me energjinë diellore dhe më pak me atë të erës kanë marrë lejet e ndërtimit apo të zhvillimit të cilat i hapin rrugë zbatimit në terren të tyre.
Në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit bien në sy një listë e gjatë projektesh që më herët kanë marrë miratime edhe nga hallka të tjera të tilla si Ministria e Infrastrukturës apo licenca nga Enti Rregullator i Energjisë.
Projekti më i madh i cili ka marrë lejen e ndërtimit është ai për një park fotovoltaik me kapacitet 50 MW në Sheq të Bashkisë Fier. Pas tij vjen një tjetër projekt në Povelçë me një kapacitet të instaluar prej 30MW teksa në zonën e Ersekës janë miratuar lejet për dy impiante me kapacitet secili prej 20MW.
Dy impiante eolikë me kapacitet deri në 2MW janë miratuar në zonën e Pukës. Të gjithë projektet e miratuara nga mbledhje për leje zhvillimi apo ndërtimi kanë një kapacitet total prej 130MW.
Dhënia e miratimeve në këtë fazë përshpejton ngritjen e këtyre kapaciteteve të cilat janë një hap më shumë drejt diversifikimit të lakuar vit pas viti por që konkretisht ende mbetet larg. Një raporti i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë nënvizonte se do të duhen ende 2-3 vjet për ta pasur një panoramë të re mbi diversifikimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor ku bën pjesë edhe Shqipëria.
Ndërkohë impianti më i madh fotovoltaik në vend produkt i një ankandi të zhvilluar nga qeveria nën asistencën e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe fituar e zbatuar nga Voltalia tashmë ka përfunduar. Francezët njoftuan pak ditë më parë se impianti ka përfunduar dhe do të nisë prodhimin.
Ndërkohë në hallka të ndryshme institucionale ndodhen projekte të ndryshëm energjetikë. Këtë javë qeveria miratoi një impiant tjetër fotovoltaik me kapacitet 10MW teksa në Kuvend u miratua shtesa e katër e marrëveshjes së koncesionit mes shtetit shqiptar dhe Statkraft i cili ka ndërtuar HEC-in e Banjës dhe Moglicës në kaskadën e lumit Devoll.
Shtesa parashikon një investim të ri mbi këtë kaskadë përmes një forme inovatore e cila do të rrisë ndjeshëm prodhimin e energjisë teksa investimi llogaritet të jetë në rreth 900 milionë euro./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor