Vendosni fjalën kyçe....

Nga përmirësimi i pagave deri në 4 javë pushime të paguara për ekspertët ligjorë, Ministria e Drejtësisë propozon draftin e ri për mjekësinë ligjore


Ministria e Drejtësisë ka propozuar një projektligj të ri për mjekësinë ligjore, që ndryshon deri në masën 70% mënyrën e organizimit dhe funksionimit të këtij Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të mjekësisë ligjore në Republikën e Shqipërisë” i publikuar te konsultimet publike synon rregullimin dhe përcaktimin e procedurave në kryerjen e ekspertimeve në fushën e mjekësisë ligjore.

Aktualisht, organizimi dhe funksionimi i Institutit të Mjekësisë Ligjore rregullohet nga vendimi nr. 680, datë 2.9.2020 i Këshillit të Ministrave “Për mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Institutit të Mjekësisë Ligjore”.

 Sipas Ministrisë së Drejtësisë vendimi bën një përcaktim të kufizuar të mënyrës së organizmit të brendshëm të Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe përgjegjësitë funksionale të tij.

Në relacionin shoqërues të draftit theksohet se Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML) vazhdimisht ka parashtruar disa problematika lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni, ku përmenden trajtimi financiar i ekspertëve të jashtëm, mungesa e trajtimit financiar të ekspertëve të IML-së që thirren nga gjykata për kryerjen e ekspertimeve mjeko-ligjore, mbingarkesa e punës së ekspertëve dhe mosrealizimi i ekspertimeve në kohë, mungesa e infrastrukturës për kryerjen e autopsive në Rrethe, apo paraqitja e ekspertëve në gjykatë për të bërë betimin, veprim i cili merr shumë kohë nga puna e ekspertëve.

“Kuadri ligjor aktual është i pamjaftueshëm dhe sjell nevojën për miratimin akteve të reja ligjore të tjera, të cilat të parashikojnë në mënyrë të detajuar funksionet konkrete të nëpunësve dhe punonjësve të institutit, të drejtat dhe detyrimet e tyre si dhe kriteret e nevojshme për emërim. Ndaj është vlerësuar, që boshllëqet ligjore dhe administrative, të plotësohen nëpërmjet këtij ligji në mënyrë, që të garantohet qëndrueshmëria e institucionit dhe statusi i mjekëve ligjor është e nevojshme që këto boshllëqe to rregullohen me ligj”, citohet në relacion.

Drafti gjithashtu parashikon që pagat e ekspertit ligjor të përmirësohen me qëllim shmangien e korrupsionit, si dhe të garantohet integriteti profesional, për shkak të vëshirësive që shfaq ky profesion. Sipas projektligjit paga e ekspertëve duhet të jetë në përputhje me natyrën e përgjegjësisë së detyrës së ekspertit dhe e përshtatshme për të garantuar pavarësinë dhe mbrojtjen nga ndërhyrjet e jashtme në ushtrim të funksionit të tyre.

Eksperti, në varësi të rezultateve në punë, mund të përfitojë një shpërblim, i cili përballohet nga të ardhurat që i mbeten Institutit të Mjekësisë Ligjore. Shpërblimi i posaçëm caktohet në çdo rast me urdhër të ministrit. Eksperti do të gëzojë edhe të drejta të tjera, si ajo e pushimeve vjetore të paguar prej 4 javësh kalendarike.

Paga e Drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Zëvendësdrejtorit dhe ekspertëve ligjorë funksional përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave dhe nuk mund të jetë më e ulët se paga mujore e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Drejtësisë.

Mjeku ligjor i jashtëm dhe konsulenti i jashtëm do të paguhet në bazë të punës së kryer me pagë orare të ekspertit funksional.

Një element mjaft i rëndësishëm në shërbimin e mjekësisë ligjore është garantimi i cilësisë dhe kryerja e ekspertimeve në përputhje me zhvillimet teknologjike dhe metodat e kohës. Në këtë kuadër, të gjitha ekspertimet e kryera nga shërbimi i mjekësisë ligjore bëhen kundrejt tarifave

përkatëse të cilat miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave me propozim të ministrit dhe ministrit përgjegjës për financat. Të ardhurat nga tarifat kalojnë në buxhetin e Institutit të Mjekësisë Ligjore me qëllim garantimin e shërbimit me efikasitet.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor