Vendosni fjalën kyçe....

Turqia kërkon të rrisë buxhetin e mbrojtjes me 150%


Qeveria turke do rrisë shpenzimet e saj ushtarake me 150 për qind vitin e ardhshëm, u tha ligjvënësve zv.presidenti Cevdet Yilmaz. Ekonomia e Turqisë ka penguar përpjekjet e saj për të mbajtur ritmin me anëtarët e tjerë të NATO-s.

I zbuluar si pjesë e një plani më të gjerë zhvillimi katërvjeçar, buxheti i propozuar ushtarak për vitin 2024 do shihte rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 1.13 trilion lira (mbi 40 miliardë dollarë), krahasuar me rreth 16 miliardë dollarë këtë vit, tha Yilmaz. Nëse miratohet, buxheti do tejkalojë rekordin e vendosur në vitin 2019, kur Turqia shpenzoi më shumë se 20 miliardë dollarë për ushtrinë e saj, sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimit të Paqes në Stokholm (SIPRI).

Shpenzimet ushtarake të vendit janë përgjysmuar që atëherë dhe janë ulur nën 2% të PBB-së të kërkuar nga NATO që nga viti 2020.

Megjithëse presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka forcuar në mënyrë mbresëlënëse industrinë vendase të armëve në Turqi, Ankaraja mbetet importuesi i 19-të më i madh i armëve në botë, sipas shifrave të SIPRI. Me ekonominë turke të shkatërruar nga inflacioni vazhdimisht i lartë, ish-zëvendësministri i Mbrojtjes Muhsin Dere pranoi në maj se Ankaraja nuk ka qenë në gjendje të përballojë mjaftueshëm armë dhe municione për disa vite.

“Në dashtë Zoti, gjendja ekonomike e Turqisë do jetë shumë më e mirë dhe ne do plotësojmë nevojat e ushtrisë nga A në Z,” tha ai në atë kohë.

Yilmaz i tha parlamentit se eksportet turke të armëve pothuajse do dyfishohen vitin e ardhshëm, nga 6 miliardë dollarë në 11 miliardë dollarë, ndërsa industria e mbrojtjes e vendit do jetë 86% e vetëmjaftueshme, nga 80% vitin e kaluar.

Megjithatë, deficiti buxhetor i Turqisë po rritet dhe arriti një mungesë prej 4.6 miliardë dollarësh në shtator, pasi u regjistrua një suficit i ngushtë në korrik dhe gusht. Qeveria ka rritur taksat e vlerës së shtuar dhe të naftës në një përpjekje për të mbledhur para shtesë, megjithëse këto rritje nuk do jenë të mjaftueshme për të mbuluar rritjen e propozuar të shpenzimeve të mbrojtjes, sipas gazetës Duvar.