Zjarri masiv në kodrat me ullishte në Libofshë, është drejt neutralizimit të plotë të tij.
Që nga mesdita e kësaj të enjte shërbimet zjarrfikëse janë në gatishmëri të plotë për të vënë nën kontroll flakët të cilat të favorizuara nga era e fortë përfshinë një sipërfaqe të konsiderueshme me shkurre e ullishte.
Zjarri u afrua shumë pranë banesave duke djegur një godinë 20- vjeçare të braktisur. Banorët e zonës të alarmuar dhe në panik nga flakët e dala jashtë kontrollit apeluan njëzëri për dënim të ashpër të zjarrvënësve, të cilët bëhen shkaktare nga pakujdesia e tyre për zjarre me dëme kaq të mëdha.
Zjarrfikëset e Fierit, Patosit, Rroskovecit dhe Albpetrolit e kanë patur tepër të vështirë ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë ndërsa janë ndihmuar me mjete rrethanore edhe nga banorë të zonës.
Tashmë po punohet për shuarjen e vatrës së fundit aktive të zjarrit.