Kryeministri Edi Rama ishte pjesëmarrës në mbrëmjen e hapjes të teatrit të Univeritsetit të Arteve.
Ai nuk e cilësoi punën e bërë si një rindërtim por një amanet dhe një monument kulture.
Rama tha se është mirënjohës për gjithçka që ka marrë ai vetë nga salla, ndërsa shprehet se është i lumtur që i’u dha mundësia t’i kthejë sallës shumë pak nga çfarë mori.
Sipas asaj që shprehu Rama, salla do të përdorej nga ata që duan të fitojnë eksperiencë dhe na ata që duan të shpërndajnë eksperiencë.
“Sot kemi përmbyllur një amanet dhe për hir të vërtetës kjo punë jo shumë e lehtë që është bërë këtu, nuk është sallë e re dhe as e vjetër, por është një monument kulture.
Është në një kuptim të drejtpërdrejtë amaneti i historisë së kësaj salle, por i parë pak më ndryshe jo si një histori që ka përfunduar, por që vazhdon, jo histori emrash por hapësire që ka qenë qysh në krye të herës, e pasionit, ëndrrave dhe dëshirave të patregueshme për nga forca e tyre, e takimeve mes atyre që e zotëronin skenën dhe atyre që ëndërronin ta zotëronin.
Nuk do të flas për të shkuarën, dua të them se sot kjo sallë u vihet në dispozicion atyre që kanë misionin tu përcjellin të tjerëve eksperiencën e tyre dhe atyre që vijnë me misionin për të marrë eksperiencë. E fundit që dua të them është se, kjo sallë sot plotëson dhe një nevojë të shumë e shumë viteve, për të qenë dhe vetë po aq rrezatuese dhe mbresëlënëse sa të gjithë ato talenteve që nga kjo sallë u ngjitën në majat e botës, për të mahnitur miliona spektatorë nëpër botë. Prandaj, me një shprehje mirënjohjeje për gjithçka që unë personalisht mora nga energjia e kësaj salle, dhe me kënaqësinë që mu dha mundësia që t’i kthej këtij vendi shumë pak, por sidoqoftë diçka nga aq shumë sa ky vend më dha, u uroj të gjithëve të mirat.”, tha Rama.