Në konferencën e tij për mediat, ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se nuk i druhet arrestimit të tij, ndërsa theksoi se është i hapur për çdo gjë.
Berisha u shpreh se kjo e ndihmon kauzën e opozitës dhe se e shumfishon forcën e atij vetë, ndërsa shtoi se ai po lufton për fitore dhe ndaj nuk i druhet asgjëje.
Sipas tij sot Jamarbër Malltezi është ndaluar për fajin se është dhëndër i familjes së tij.
“Akuzat janë të mirëfillta politike. E bindur të jesh ti. Jam i hapur për çdo gjë. Të akuzosh Berishën për larje parash, duhet të jesh i pafytyrë. Natyrisht ata që firmosin gjëra të tilla, s’kanë as fytyrë, as karakter. Të akuzosh për korrupsion, kur nuk ka asgjë. Dhe përveç faktit se Jamarbër Malltezi, është bashkëshort i vajzës sime, është politike. S’ka lidhje me Berishën. S’kanë kapur gjë. Se tani po t’i pyesësh thonë; janë nën hetim. Por s’kanë kapur asnjë shkelje në procesin e privatizimit. Sa i përket burimeve të parave të mia, ato janë transparente. Kjo është bërë me porosi të plotë të Ramës, me insistim të tij, ndonjëherë e angazhuar dhe Linda Rama. Merrem me Edin, jo me gratë.
Nuk i druhem arrestimit, e kam provuar këtë gjë. Kjo e ndihmon kauzën tonë, e motivon edhe më shumë. E shumëfishon Sali Berishën në qindra mijëra. Unë po luftoj për fitore, si të druhem unë?
Kjo është një dëshmi dhe motivim shtesë për ne. Sot Malltezi është ndaluar për fajin se është dhëndër i Sali Berishës, do e faktoj këtë. Për të arritur këtë mashtrues, falsifikatorë kanë fshehur dokumenta, kanë gënjyer para gjykatësit dhe unë i kam denoncuar para jush. Kjo është”, tha ai.