Vendosni fjalën kyçe....

Kodheli: Nëse opozita kërkon të vijë në pushtet, duhet të transemtojë një platformë konkrete


Deputetja e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kryetarja e Komisionit të Jashtëm Mimi Kodheli ka qenë e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24.

Kodheli ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend, ku seanca e fundit plenare, zhvillimi i së cilës u bllokua nga opozita, Kodheli u shpreh se kjo situatë nuk zgjidh asgjë për opozitën, e cila sipas saj duhet të transmetojë një platformë konkrete nëse kërkon të vijë në pushtet.

Kodheli shtoi se edhe pushteti ka konsum dhe qeveritë herë pas here duhet të riformatohen, ndërsa shtoi se 4 vite duhet të mjaftojnë për implementimin e reformave të ndryshme, por edhe nxjerrjen e rezultateve nga këto të fundit.

“Kam vite në atë sallë dhe kam parë shumë situata. Kam besuar se eksperienca e njerëzve që kanë shumë vite në atë sallë do kishte bërë që ajo sallë të ishte një podium i një debati konstruktiv. Në fakt është një arenë ku konsumohet një politikë e panevojshme.

Ajo ishte një shfaqje cirku pa asnjë mesazh, konkluzion apo arsye të qenësishme për të mbërritur aty. Kam parë ofendime, dhunë, pretendime të paqena, teori e gjëra që as në ëndërr nuk i kam imagjinuar të m’i thonë në atë sallë. Mendoja se sot njerëzit do ishin më të civilizuar për t’u thënë njerëzve pse të votojnë atë palë.

Nuk ka më asnjë teori apo platformë që i sjell këta zotërinj në pushtet. Mund të ketë por nuk e transmetojnë. Kjo situatë nuk zgjidh asgjë. Parlamenti është një vend i shenjtë. Jo vetëm u zunë karriget, por u hoqën kartat dhe u mbyllën dyert. Më vjen turp ta komentoj.

Komisionet hetimore duhet të mendohen mirë. Ne ngremë komisione hetimore jo për konsum mediatik të panevojshëm.  Ka çështje që opozita është e shqetësuar, por kanë një problem të madh. Akoma nuk dimë kush ka firmën e kush ka vulën. Ata duhet të kuptojnë dhe ne duhet të kuptojmë kush është përballë nesh. Mazhoranca e do Reformën Zgjedhore. Pretendimi ka qenë që duhet të ribëheshin anëtarët e komisionit. Në komision duhen ekspertë dhe të sjellim një kod të ri zgjedhor. Shkojmë në konferencën e kryetarëve dhe ka gjithmonë anëtarë të ndryshëm. Kur ata të bien dakord ne jemi gati të nisim procedurën.

Opozita duhet të maturohet, është në situatë mjerane dhe duhet të riformatohet. Pushteti ka gjithmonë konsum, ndaj edhe riformatohen qeveritë herë pas here. Ne sot kemi përpara një ngjarje si Kongresi i PS në datë 4. Atje do vendosim piketat se çfarë do bëjmë nesër. Jemi akoma në kohë për të rinisur një aktivitet të ri politik me qëllime të reja. Herë pas here qeveritë duhen riformatuar. Unë kam qenë e teorisë që 4 vjet të mjaftojnë për zbatimin e reformave si ministër dhe për të parë rezultate.”, u shpreh Kodheli.