Vendosni fjalën kyçe....

Tregtonin medikamente kontrabandë me vlerë 50 mijë euro, 16 të arrestuar dhe dy në kërkim


Policia ka arrestuar 16 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë pasi nga hetimet disamujore rezultuan se tregtonin dhe magazinonin medikamente mjekësore kontrabandë dhe i shisnin në farmaci të ndryshme në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Vlorë.

Këta shtetas i kontrabandonin medikamentet nga Italia, Greqia dhe Kosova dhe më pas në bashkëpunim me njëri tjetrin i tregtonin në farmaci brenda vendit.

Vlera e përllogaritur e medikamenteve kontrabandë është rreth 50 mijë euro

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra të ndryshme, pas një pune hetimore disamujore, ndjekur me metoda speciale të hetimit, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Rrugëtimi”.

Si rezultat i tij u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

– D. B., 39 vjeç, G. B., 45 vjeç, E. B., 35 vjeç, D. Th., 40 vjeç, E. M., 42 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Gjithashtu u ndaluan shtetasit L. B., 41 vjeç, banues në Fier, F. M., 36 vjeç, banues në Berat, A. H., 51 vjeç, E. Q., 44 vjeç, A. D., 45 vjeç, , S. D., 31 vjeç, A. H., 45 vjeç, G. H., 64 vjeç, A. S., 56 vjeç, T. M., 30 vjeç, A. B., 38 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit A. C., dhe L. B.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, tregtonin medikamente të ndryshme mjekësore të kontrabanduara, nga Greqia, Italia dhe Kosova, të cilat më pas i shisnin në farmaci të ndryshme në Tiranë, Elbasan, Fier, dhe Vlorë, me çmime shumë të larta.

Gjatë kontrolleve të ushtruara në kuadër të këtij operacioni, në disa banesa dhe farmaci në Tiranë, Elbasan, Fier dhe Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të konsiderueshme medikamentesh mjekësore, pa pullë fiskale nga Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, me vlerë rreth 50000 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.