Vendosni fjalën kyçe....

Europol shkatërron bandën e rëndësishme kibernetike


Europol ka njoftuar çmontimin e ‘Ragnar Locker’, një grup kriminal shumëkombësh i përshkruar si ‘një nga operacionet më të rrezikshme ‘ransomware’ të viteve të fundit.

Në një deklaratë të bërë të premten, Europol tha se grupi u godit  gjatë një operacioni të madh nga autoritetet policore dhe gjyqësore nga njëmbëdhjetë vende.

“Ky spastrim ndërkombëtar pason një hetim të ndërlikuar të udhëhequr nga Xhandarmëria Kombëtare Franceze, së bashku me autoritetet e zbatimit të ligjit nga Çekia, Gjermania, Italia, Japonia, Letonia, Holanda, Spanja, Suedia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Europol në një deklaratë, duke shtuar se raundi i parë i arrestimeve u krye në Ukrainë në fund të vitit 2021.

Faza e fundit e operacionit njëmujor u krye në datat 16-20 tetor me kërkime të shumta të kryera në Letoni, Spanjë dhe Republikën Çeke.

Kreu i dyshuar i grupit u arrestua në Francë më 16 tetor dhe në të njëjtën kohë u kontrollua shtëpia e tij në Republikën Çeke. Pesë të dyshuar të tjerë u sollën për t’u marrë në pyetje në Spanjë dhe Letoni menjëherë pas kësaj, zbuloi Europol.

Forcat e zbatimit të ligjit konfiskuan serverët dhe infrastrukturën tjetër të përdorur nga grupi në Holandë, Gjermani dhe Suedi, duke hequr faqen e rrjedhjeve të Ragnar Locker, e cila ndodhet në rrjetin e errët.

Grupi kishte qenë aktiv që nga dhjetori 2019, duke përdorur softuerët në largësi dhe të administrimit për të sulmuar kompani dhe institucione të ndryshme dhe duke i mbajtur ato si mjet shantazhi duke kërkuar shpërblim.