Për hërë të parë në 21 vite, programi i “Politikanëve të Rinj” i Komitetit të Rajoneve (Committee of Regions) në Bruksel, zgjeroi listën e tij të pjesëmarrësve edhe me Ballkanin Perëndimor. “Ky program për politikanët e rinj është një mundësi fantastike për të theksuar që kushdo, por veçanërisht të rinjtë, kanë shumë rëndësi. Njerëzit kanë rëndësi, rajonet kanë rëndësi, fshatrat gjithashtu” – thotë deputetja e Parlamentit Maqedonas, Marija Petrushevska, anëtare e VMRO-DPMNE.
Ballkanit Perëndimor “i ka ikur truri”
Të rinjtë e gjashtë shteteve të rajonit renditen lart në listën e “ikjes së trurit” në botë. Parashikimet janë pesimiste, pasi mendohet se në dekadën e ardhshme Ballkani Perëndimor do të humbasë gati gjysmën e popullsisë së re të kualifikuar dhe të mirëarsimuar. Për aktivisten politike shqiptare Maura Linadi, e cila mban mandatin e dytë si anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës, ky është një fenomen që lidhet me globalizmin. “Ky fenomen është i përhapur prej disa vitesh dhe po sjell avantazhe dhe disavantazhe. Popullsia relativisht e re e Shqipërisë, konsideruar si më të rejat në Bashkimin Evropian, është hapur ndaj mundësive të reja”.
“Situata është alarmante” – thekson përfaqësuesja maqedonase Petrushevska. Ajo thotë se Maqedonia e Veriut është 10 vendet e para në botë për largimin e kësaj kategorie.
“Çdo i dyti i ri e sheh të ardhmen jashtë Maqedonisë. Arsyet që ata listojnë si më kryesoret janë: mungesa e besimit tek institucionet, korrupsioni dhe procedurat e gjata administrative për të fituar të drejtën tënde, pabarazia, polarizimi i shoqërisë dhe varfëria, arsye këto që ndikojnë në cilësinë e jetës. Me një fjalë: janë të pashpresë” , argumenton për DW Petrushevska.
Përfaqësuesja serbe Galiç, nga Partia për Liri dhe Drejtësi, thotë për DW se njerëzit nuk po largohen me dëshirë nga Serbia dhe Ballkani Perëndimor. “Autoritetet autokratike në Serbi po bëjnë përpjekje domethënëse për të mbajtur një numër shumë të madh njerëzish në gjende varësie dhe nënshtrimi, pasigurie dhe frike, e cila ka kapluar të gjithë shoqërinë serbe. Këtu ka frikë për sigurinë, frikë nga varfëria, si dhe frikë nga konflikte të brendshme dhe të jashtme”.
Cila është zgjidhja?
A është Ballkani Perëndimor tepër vonë për të gjetur një zgjidhje apo ka ende shpresë për t’i mbajtur të rinjtë në vendet e tyre? “Aktualisht janë duke u parë mundësitë e gjenerimit të politikave të reja për punësimin dhe mundësitë për të rinjtë, ku të konsiderueshme janë avantazhet e krijuara për sektorin e IT, rritja e nivelit të pagave në administratën publike, lehtësirat e mjedisit mundësues të startup-ve etj” – sqaron Linadi për DW.
Për Petrushevskën dhe Galiç, përfaqësuese partish opozitare në shtetet e tyre, situata do të ndryshonte vetëm nëse ato qeverisen nga politikanë të rinj. “Të rinjtë dhe e gjithë popullsia kanë nevojë të shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Ata kanë nevojë për udhëheqës që janë të gatshëm për politika transformuese sistematike në shoqërinë tonë, udhëheqës të cilët do të përçojnë mesazhin se çdokush meriton një vend në diell” – nënvizon Petrushevska.
“Ndërkohë që autoritetet na mbajnë larg medias, ne takohemi përditë me njerëz, për t’u përcjellë atyre mesazhin se rrugëtimi drejt Europës nuk do të thotë se duhet të lëvizim fizikisht në Europë. Duke marrë në konsideratë zgjedhjet e ardhshme, ne besojmë se ka një rëndësi të veçantë që njerëzit të përfshihen dhe të bëhen pjesë e ndryshimit” , përfundon Galiç.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e DW.