Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli nxorri jashtë funksionit aeroportet kryesore të Sirisë – Media shtetërore


Një sulm ajror izraelit në dy nga aeroportet kryesore të Sirisë la një person të vdekur dhe një tjetër të plagosur, raportoi media shtetërore siriane SANA. Të dy aeroportet janë vënë jashtë funksionit.

Sipas agjencisë SANA, duke cituar zyrtarë ushtarakë sirianë, ‘rreth orës 05:25 të mëngjesit të së dielës, armiku izraelit kreu njëkohësisht një akt agresioni ajror me valë raketash nga drejtimi i Detit Mesdhe në perëndim të Latakias dhe nga drejtimi i Lartësive Golan të pushtuara duke synuar aeroportet ndërkombëtare të Damaskut dhe Aleppos’.

Ministria e Transportit tha në një deklaratë se një punonjës civil nga Departamenti i Meteorologjisë në Aeroportin Ndërkombëtar të Damaskut humbi jetën në sulm, siç citohet nga media.

Ministria shtoi se të gjitha fluturimet për dhe nga Damasku dhe Aleppo janë ridrejtuar në Aeroportin Ndërkombëtar të Latakias.

Sulmi ajror erdhi vetëm një javë pasi Izraeli goditi Aeroportin Ndërkombëtar të Aleppos.

Sulmi erdhi menjëherë pasi dy raketa u hodhën nga Siria në lartësitë Golan të kontrolluara nga Izraeli, raportoi në atë kohë Times of Israel.