Ditën e sotme aktivistë të Lëvizjes Bashkë në protestë për ndërtimet e kullave në Tiranë, organizuan një tubim në finishin e maratonës që zhvillohej në kryeqytet.
Banderola “ku është finishi i kullave?” u gris më pas nga policia bashkiake që sipas Lëvizjes Bashkë përbën një tentativë për mbyllje goje.
“Sot aktivistët e Lëvizjes BASHKË hapën një banderolë në finishin e maratonës së Tiranës, për të denoncuar faktin se ndërtimi pa kriter i kullave po zhduk parqet dhe hapësirat publike, duke e bërë qytetin të pajetueshëm.
Mbi trupat e aktivistëve tanë u hodhën menjëherë dhunshëm policët bashkiakë, të cilët jashtë çdo kompetence ligjore dhe sensi qytetarie tentuan të na mbyllin gojën.
Ne e dimë se ku jetojmë dhe kush na qeveris. Pushtetarët e korruptuar si Erion Veliaj dhe Edi Rama e kanë kthyer Tiranën në kryeqendër të pastrimit të parave dhe degradimit urban. Përmes kullave dhe gangsterëve, ata pasurohen dhe përjetësohen në pushtet.
Po Tirana dhe Shqipëria kanë ende shpresë. Ajo gjendet te ndërgjegjja qytetare dhe gatishmëria për të sakrifikuar në shpalosjen e të vërtetës së hidhur. Lëvizja BASHKË synon të jetë përfaqësuesja e kësaj shprese.
Ju bëjmë thirrje të bashkoheni në aksionet tona në mbrojtje të qytetit dhe vënien e keqbërësve përpara përgjegjësisë!” – shkruan Lëvizja Bashkë.