Vendosni fjalën kyçe....

Ndalimi i Malltezit, konferenca e Berishës, akuzat, mbrojtja, reagimet (çfarë ka ndodhur nga mbrëmja e djeshme)


Dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, u ndalua mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Rinasit.

Ndalimi i tij u bë pas urdhërarrestit të prokurorëve të SPAK-ut, Arben Kraja e Enkeleia Millonai e të firmosur nga gjyqtarja e Gjykatës së Posaçme Irena Gjoka.

Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv e pastrim parash për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit ‘Partizani’, akuzë e dorëzuar në SPAK nga ministri i Brendshëm Taulant Balla në vitin 2020.

Malltezit i është vënë sekuestro preventive edhe për 16 pasuri të paluajtshme.

Përveç Malltezit u shoqërua edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi ndërsa për kreun e Rithemelimit, Sali Berisha, prokuroria ka kërkuar detyrim paraqitjeje si dhe i ka bllokuar pasaportën për ta ndaluar nga një largim i mundshëm jashtë vendit. Seanca për verifikimin e masave të sigurisë është caktuar për nesër.

Më poshtë janë zhvillimet që kanë ndodhur nga mbrëmja e djeshme deri sot në rend kronologjik.

Ndalimi i Jamarbër Malltezit

Jamarbër Malltezi, dhëndri i ish-kryeministrit Sali Berisha, u arrestua mbrëmjen e djeshme në aeroportin e Rinasit rreth orës 19:00, teksa priste bashkëshorten që po kthehej në vend nga një udhëtim në Mynih të Gjermanisë.

Tre policë civilë iu afruan duke e prangosur e duke e shoqëruar në pjesën e jashtme të aeroportit ku zakonisht qëndrojnë taksitë. Pas kësaj ai u shoqërua në mjediset e bllokut të sigurisë në rrugën ‘Mine Peza’.

Berisha konferencë të jashtëzakonshme për shtyp

Menjëhere pas ndalimit të dhëndrit, ish-kryeministri Berisha njoftoi një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në selinë blu, që u mbajt në orën 21:00.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët ai i hodhi poshtë të gjitha akuzat ndaj Malltezit dhe atij vetë duke thënë se nuk ka asnjë provë dhe se gjithçka ka ndodhur në privatizimine ish-klubit Partizani është bërë konform ligjit.

Berisha drejtoi gishtin nga kryeministri Rama duke thënë se e gjitha është bërë me porosi nga ai. Kreu  i Rithemelimit lëshoi akuza edhe ndaj prokurorëve të SPAK-ut Kraja e Millonai. Rreth mesnatës ai u largua nga zyra e tij për në banesë.

Akuzat

Jamarbër Malltezi e Sali Berisha akuzohen për korrupsion pasiv e pastrim parash lidhur me privatizimin e ish-klubit ‘Partizani’.

Sipas SPAK, Berisha ka miratuar ligje e akte nënligjore sipas nevojave që paraqiteshim për të favorizuar 5 familjet pronare ku përfitues i drejtpërdrejtë bashkë me të tjerë dilte Jamarbër Malltezi.

Bëhet fjalë për rreth  10 mijë metra katrorë tokë në pronësi dikur të Ministrisë së Mbrojtjes të cilat janë privatizuar përfundimisht në vitin 2008 për një vlerë rreth 100 mijë dollarë.

Mbrojtja e Berishës

Berisha tha se të gjitha akuzat nuk kanë asnjë bazë. Gjatë konferencës për shtyp ai tha se pasuria e tij dhe e Malltezit janë të pastra ndërsa shtoi se gjithçka ishte bërë sipas ligjit dhe se çdo veprim i ndërtimeve në fjalë është e dokumentuar çdo qindarkë.

Berisha tha se procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave për pronarët e tokës në fjalë ka nisur që në vitet 1994-1995. Ai lëshoi akuza ndaj prokurorëve të SPAK-ut Arben Kraja e Enkelejda Millonai, se po vepronin sipas urdhrave të Ramës dhe se kishin shkelur ligjin.

Po kështu Berisha tha se nxjerra e klubit ‘Partizani’ është nxjerrë nga plani i përhapjes me firmën e presidentëve para Bamir Topit dhe se destinacioni i tij nga terren sportive në truall për ndërtime është ndryshuar me firmën e Edi Ramës, gjë për të cilën ka dokumente, tha ai. Berisha tha gjithashtu se nuk i druhet arrestimit e se do luftojë kundër diktaturës së Edi Ramës.

Reagimi i politikës

Pas ndalimit të Malltezit e bllokimit të pasaportës së Berishës, kanë qenë të shumta reagimet nga kampi opozitar në mbrojtje të kreut të Rithemelimit. Kreu i Partisë së Lirisë Meta deklaroi sot se veprimet e ‘drejtësisë me regji’ ndaj Sali Berishës nga SPAK janë antikushtetuese e antiligjore dhe se bëhen për të shmangur vëmendjen nga afera e inceneratorëve duke shantazhuar kreun e opozitës. Reagime të ashpra ka pasur edhe nga deputetët e Rithemlimit të cilët kanë pohuar se ‘diktatura e Ramës’ nuk do e ndalë aksionin opozitar ndërsa kanë akuzuar Ramën e SPAK-un.

Heshtja e Ramës

Kryeministri Rama dhe asnjë eksponent i lartë i PS-së nuk kanë bërë asnjë koment pas ndalimit të Malltezit. Që prej mbrëmjes së djeshme kreu i qeverisë ka hedhur disa albume fotosh ose video nga projekte të ndryshme e nga Samiti i Procesit të Berlinit.

Nesër seanca e masës së sigurisë

Ditën e nesërme gjykata do bëjë verifikimin e masave të sigurisë të dhënat një ditë më parë. Malltezi është lënë në arrest me burg ndërsa Berisha e Bektashi me detyrim paraqitjeje. /Hashtag.al